Autoritetet ukrainase kanë arrestuar një numër të pa specifikuar të mësuesve rusë, të cilët u zhvendosën në qytetet ukrainase kur Rusia mori kontrollin e tyre pas nisjes së pushtimit në fund të shkurtit.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha më 12 shtator se mësimdhënësit, të cilët erdhën në Ukrainë për të mësuar nxënësit në shkollat lokale ukrainase me kurrikulë ruse, “kanë kryer krime”.
“Sigurisht, gjykata do të vendosë për ndëshkimin e tyre, por në territorin e shtetit tonë janë një numër i madh i qytetarëve rusë të cilët erdhën në territoret e okupuara përkohësisht dhe ata sigurisht që do të përballen me drejtësinë, nëse nuk largohen menjëherë nga shteti ynë”, tha Vereshchuk.
Vereshchuk shtoi se mësuesit e arrestuar rusë nuk do të hyjnë në listën e shkëmbimit të të burgosurve, pasi ata nuk kanë qenë pjesë e formacioneve luftarake.
Më 10 shtator, mediat lokale ukrainase raportuan se një numër i paspecifikuar i mësuesve rusë kanë mbetur në Ukrainë, teksa trupat ruse dhe zyrtarët e emëruar nga Rusia janë larguar nga disa vendbanime në rajonin e Harkivit. Në këtë rajon, forcat ukrainase po rimarrin territorin e humbur në kundërofensivën që po zhvillojnë.
Më herët, ligjvënësi ukrainas, Oleksiy Honcharenko, tha se mësuesit rusë janë arrestuar në qytetin Kupiansk, në rajonin e Harkivit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 13 shtator mohoi se në Harkiv të Ukrainës janë arrestuar mësues nga Rusia.
Ndërkaq, ministri rus i Arsimit, Sergei Kravtsov, shtoi se të gjithë mësuesit ukrainas, që kanë bashkëpunuar me autoritetet e emëruar nga Rusia dhe kanë vendosur që të largohen për në Rusi, u është dhënë ndihmë për të bërë një gjë të tillë./REL