Akuzohet nga qytetarja për pë*dhunim, specialisti i Krimeve ‘flaket’ në rrugë nga policia

Izmir Duraku, me detyrë specialist krimesh pranë policisë në Fushë Arrëz, tregon për emisionin “Stop” se është akuzuar nga shtetasja Adriana Berisha, e cila vjen nga jetimorja e Shkodrës, se zoti Duraku e kishte përdhunuar. Ajo ka bërë kallëzim, ku shprehet, se Duraku abuzoi me të në zyrën e tij, teksa kjo e fundit ishte paraqitur për të denoncuar një ngjarje tjetër, pengmarrje dhe përdhunim prej një grupi individësh.
Ajo ka pohuar, se Izmiri e kishte çuar në një banesë dhe ajo kishte mbetur shtatzënë, duke u detyruar të abortonte. Adriana pretendon, se ngjarja ka ndodhur në vitin 2015. Izmir Duraku, u arrestua më 5 Qershor 2020 dhe u lirua të nesërmes, pasi nuk kishte prova. Por dy ditë më pas më 8 Qershor, Izmiri u përjashtua nga policia pikërisht për këtë akuzë.

 “Si ka mundësi që unë ndalohem në datën 5, lirohem në datën 6 dhe në datën 8 me vjen urdhri për përjashtim nga policia, nga drejtori i Policisë kriminale, si dhe një urdhër pezullimi kur në vetvete urdhri i pezullimit është i ligjshëm derisa të vërtetohet ajo për të cilën unë akuzohem. Ata e kanë shkatërruar një oficer policie, e kanë hedhur dhe flakur.

Drejtori i policisë kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit ka sjellë një shkresë për pezullimin dhe përjashtimin tim nga policia. Po në datën 8 është një shkresë tjetër për pezullim. Tani kujt t’i besoj pezullimit apo përjashtimit. Unë bëra ankinimin e komisionit të apelimit, në mënyrë kategorike nuk mori asnjë lloj prove, por ato bënë përjashtimin tim nga policia duke marrë fakt të kryer kallëzimin e asaj shtetase”, është shprehur Izmir Duraku.

Prokuroria e Shkodrës hetoi dhe nuk e provoi akuzën. Madje, prokuroria bëri paralelizëm edhe me kallëzime të tjera, që kishte bërë vajza, të gjitha të paprovuara. Madje Adriana Berisha u procedua për kallëzim të rremë.

“Unë denoncuesen Adriana Berisha e njoh, siç e njoh këtë nga shtëpia e fëmijës, njoh shumë të tjerë po nga shtëpia e fëmijës. Por që të jem takuar unë me Adriana Berishën siç pretendon ajo në kallëzimin që ka bërë që unë e kam përdhunuar, duke më akuzuar që unë e paskam lënë shtatzënë, që më ka akuzuar që kam një tatuazh në qafë, që në kohën kur është bërë përdhunimi unë kam qenë 35 vjeç, kur në fakt në kohën e përdhunimit unë kam qenë 59 vjeç, duke më akuzuar dhe për shumë gjëra. Prokuroria e Rrethit të Gjykatës Shkodër i ka verifikuar të gjitha”, ka rrëfyer Izmir Duraku.

Megjithëse Gjykata Administrative e Tiranës, i dha të drejtë punonjësit, vendimi u apelua dhe ka mbetur i pashqyrtuar ende. Por Izmir Duraku ka mbetur i papunë dhe vuan pasoja psikologjike e financiare.

“Gjykata administrative në Tiranë, hodhi poshtë vendimin e komisionit të apelimit të bazuar në ligj dhe në provë dhe kanë vendosur që të më paguajnë 12 paga si dhe pagën kalimtare. Ligjërisht pala humbëse e apelon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Lartë. Si kryefamiljar dhe si ish-punonjës policie, kërkoj si qytetar nga Gjykata Administrative në qoftë se keni mundësi, ju lutem shikoni problemin tim.

Kam bërë disa kërkesa për përshpejtim. Si çdo shtetas shqiptar kam marrë kredi nëpër banka të ndryshme për nevoja personale dhe familjare. Nga një vit pagesë, gati po bëhen dy vite që unë nuk kam paguar asnjë Lekë, penaliteti ka ardhur 3 milion e 200 mijë Lekë të vjetra. Jam prind, kryefamiljar, jam gjysh, keni bërë gabimin më të madh të jetës suaj dhe nuk jeni treguar shumë seriozë në atë që ju keni bërë karshi meje”, ka thënë ndër të tjera Izmir Duraku.

/Burimi: Tvklan.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *