Këtë të premte do të mbahet konferenca për ecurinë çështjes së ish-krerëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara.
Mësohet se mbledhja do të nisë më orën 13:30.
“Prokurori K. Thaçit dhe të tjerëve – konferencë për ecurinë e çështjes 13:30”, është shkruar në kalendarin zyrtar të Gjykatës.
Kujtojmë se dy vite më parë, më 5 nëntor 2020 Ish-Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-drejtuese të tjerë të UCCK-së u arrestuan pasi akuzohen për krime.
Gjykata Speciale e Hagës publikoi dhe akt-akuzat për të cilat këta figura politike akuzohen, ku këta ish-zyrtarë po hetohen për 100 vrasje të kryera gjatë luftës së Kosovës dhe Serbisë në vitet 1998-1999. Në aktakuzën thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe 100 vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.
Sipas saj, krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës e Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj, katolikë, civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë, shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së, shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.
Në aktakuzën pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.