Pasuria prej 1 milion eurosh në pronësi të shtetasit Pëllumb Tuda është konfiskuar nga Prokuroria e Durrësit.
Më anë të një njoftimi, Prokuroria bën me dije se hoteli në emër të të dyshuarit nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar.
Tuda dyshohet se ushtron aktivitete kriminale në fushën e trafikut të lëndëve narkotikëve, gjithashtu akuzohet për prostitucion dhe armëmbajtje pa leje. Mësohet se Tudës i janë konfiskuar pallat, objekt hotel dhe bar në Plazh Durrës, me vlerë 1,000,000 Euro.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria Durrës konfiskon pasurinë me vlerë 1 mln euro të të dyshuarit për kryerjen e 4 veprave penale
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi konfiskimin e pasurisë në emër të shtetasit P.T., pallat, objekt hotel dhe bar në Plazh Durrës, me vlerë 1,000,000 Euro.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për procedimin pasuror nr. 2/2020, regjistruar ndaj subjektit hetimor shtetasit P.T., banues në Plazh, Durrës, rezultoi e provuar se ekzistojnë kushtet ligjore për sekuestrimin e pasurive të luajtshme/të paluajtshme që rezultojnë në emër të të dyshuarit P.T., për këto arsye:
Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi P.T., është i përfshirë në veprimtari kriminale të “Pastrimit i produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i K.Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga neni 278 i K Penal, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Së dyti: Shtetasi P.T., zotëron drejtpërsëdrejt në emër të tij pasuritë, objekt sekuestrimi. Shtetasi P.T., përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/a.
Së treti: Provohet që vlera e pasurive, objekt sekuestrimi, nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar.
Mbi këtë bazë me Vendimin nr. 217, datë 09.06.2020 Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur:
1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës:
Konfiskimin e pasurisë së mëposhtme në emër të shtetasit P.T., pasurinë pallat, objekt Hotel + Bar në Plazh Durrës me vlerë 1,000,000 Euro.