SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg për ish-gjyqtaren, Mimoza Margjeka, e cila akuzohet për korrupsion.
Burime për mediat bëjnë me dije se SPAK ka kërkuar gjithashtu edhe 4 vite për bashkëshortin e saj Arben Cara dhe 3 vite për Skënder Demirin.
Çifti i bashkëshortëve Mimoza Margjeka dhe Arben Cara, akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim.
Ndërsa avokati Skënder Demiraj për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim.
Mësohet se ish-gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj kanë marrë një shumë parash me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.
Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.