Akuzohet për terrorizëm i dyshuari për sulmin ndaj shkrimtarit nacionalist rus

 

Hetuesit rusë e kanë akuzuar për kryerje të veprave terroriste të dyshuarin për kryerjen e një sulmi me makinë-bombë, që e la të plagosur një shkrimtar të njohur nacionalist rus.

Shkrimtari, Zakhar Prilepin, një mbështetës i flaktë i fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, theu të dyja këmbët në sulmin e 6 majit. Bashkëpunëtori i tij i ngushtë, i cili ishte në makinë me të, mbeti i vrarë.

Alexander Permyakov u akuzua për kryerjen e një “akti terrorist” dhe për trajtimin e paligjshëm të eksplozivëve, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në një deklaratë më 8 maj. Një gjykatë në rajonin e Nizhny Novgorod të Rusisë i shqiptoi atij masën e paraburgimit prej dy muajsh.

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka akuzuar Ukrainën dhe shtetet perëndimore që e mbështesin Ukrainën, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sulmin ndaj Prilepinit.

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës as nuk e kanë konfirmuar e as nuk e kanë mohuar përfshirjen në këtë rast. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se besonte se autoritetet ruse e organizuan sulmin.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë komente lidhur me këtë incident.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS citoi burime të institucioneve të sigurisë të kenë thënë se i dyshuari ishte një “vendas i Ukrainës” me një dënim në të kaluarën për grabitje me dhunë.

Prilepin është figura e tretë e njohur pro-luftës në Ukrainë që u vu në shënjestër nga sulme me bomba që nga nisja e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Rusia fajësoi gjithashtu Ukrainën për vdekjen e gazetares, Darya Dugina, dhe blogerit të luftës, Vladlen Tatarsky, në dy sulme të mëparshme. Kievi ka mohuar përfshirjen në këto raste.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *