Shtetasi kinez Liangbin Chen, i cili akuzohet për mashtrim të miliona eurove, do të ekstradohet drejt Kinës. Ky ka qenë vendimi final i Gjykatës së Apelit për të riun kinez, ndonëse ai refuzoi ekstradimin në Kinë.
Apeli i Tiranës vendosi lënien ne fuqi te vendimit nr. 805, date 13.10.2022 te Gjykatëse se Rrethit Gjyqësor Tirane, duke i hapur rrugë autoriteteve kineze që të marrin në ngarkim të riun.
Prokuroria e Apelit shkaktoi skandal kur kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga me burg, në arrest shtëpie.
Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit rreth orës 14:00 të datës 11 korrik të këtij viti gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albania”, në fluturimin Londër-Tiranë.
Shtetasi kinez u arrestua për qëllime ekstradimi për arsye të masës së sigurimit “arrest në burg”, lëshuar nga autoritetet kineze pasi ai njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 145 milionë euro.
Ndaj tij fillimisht Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte që kishte sëmundje në kokë.
Çështja shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “Arrest shtëpie” për shtetasin kinez, me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.