Zvicra mbylli hapësirën e saj ajrore të mërkurën pas një defekti kompjuterik me sistemin e kontrollit të trafikut ajror që solli dhe ndalimin e fluturimeve. Lajmi u dha nga zyrtarët e autoritetit civil të aviacionit zviceran ku thuhej se: “Hapësira ajrore zvicerane është e mbyllur për trafikun ajror për arsye sigurie pas dështimit të kompjuterit me Skyguide, shërbimin zviceran të kontrollit të trafikut ajror”.
Në deklaratë nuk u dha asnjë detaj në lidhje me keq-funksionimin e sistemit kompjuterik, por thuhej se “kërkohet ndjesë për këtë incident dhe pasojat e tij për klientët, partnerët dhe pasagjerët e aeroporteve të Gjenevës dhe Zyrihut dhe se po punohet për të gjetur një zgjidhje”.
Më herët, aeroporti i Gjenevës tha në një postim në twitter se po ndalonte të gjitha fluturimet e tij deri në orën 11 të mëngjesit (0900 GMT) për shkak të dështimit të sistemit kompjuterik por më pas fluturimet rinisën normalisht në orën 08.30 minuta. Njoftimi i parë për anullimet u dha në orën 05:45 minuta por askush nuk dha shkakun.