Alarm për hakerim, shtyhet votimi i konservatorëve për kryeministrin e ri

Votimi nga anëtarët e Partisë Konservatore të Britanisë për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm është shtyrë pasi një agjenci britanike zbulimi paralajmëroi se hakerët kibernetikë mund të ndryshojnë rezultatet e votimit.

Sipas raportit, nuk kishte kërcënime specifike nga një vend armik, ndërsa këshillat ishin kryesisht të karakterit të përgjithshëm lidhur me procesin e votimit dhe dobësitë në rrjet.

Si rezultat i shqetësimeve, Partia Konservatore është detyruar të ndryshojë planet për të lejuar anëtarët të ndryshojnë më vonë gjatë garës votën e tyre për udhëheqësin e ardhshëm, sipas gazetës “The Telegraph”.

Ende nuk janë lëshuar fletët e votimit me postë për rreth 160 mijë anëtarë të partisë, të cilët tashmë janë paralajmëruar se mund të mbërrijnë deri më 11 gusht, thuhet në shkrimin e gazetës britanike. Sipas planit të mëparshëm, fletët e votimit do të dërgoheshin të hënën.

Ish-ministri i Financave Rishi Sunak dhe Sekretarja e Jashtme Liz Truss po konkurrojnë për të marrë postin e kryeministrit të ardhëm britanik pas dorëheqjes së zotit Boris Johnson.

Zonja Truss kryeson në sondazhet e opinionit midis anëtarëve të Partisë Konservatore, të cilët do të vendosin përmes votave se kush do të bëhet kryeministri i ardhshëm më 5 shtator.

Një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC), pjesë e Qendrës së Kominikimeve Qeveritare (GCHQ), tha se i kishte dhënë këshilla Partisë Konservatore. Qendra e Komunikimit të Qeverisë (GCHQ) mbledh të dhëna nga e gjithë bota për të identifikuar dhe ndaluar kërcënimet ndaj Britanisë./VOA

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *