Një alarm për bombë ka shkaktuar panik në Greqi. Media ‘Protothema’ ka raportuar sot se një avion pasagjerësh, që po udhëtonte drejt Izraelit, ka dhënë alarmin kur ndodhej mbi qytetin grek të Heraklio, pasi dyshohej që në bord të kishte bombë.
Menjëherë është aktivizuar mekanizmi i alarmit dhe avionë luftarakë grekë janë ngritur në fluturim. Aeroplani me pasagjerë ka hyrë në hapësirën ajrore të Greqisë rreth orës 09:00, me orën lokale.
Katër avionët luftarakë grekë F-16 e kanë shoqëruar avionin e nisur nga Shtetet e Bashkuara. Për fat të mirë, nuk ka ndodhur asnjë incident dhe sipas informacioneve të fundit, avioni është ulur në mënyrë të sigurt në Izrael. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të verifikuar informacionet që flisnin për dyshimet për bombë.