Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur sot grupin parlamentar ku u ka prezantuar amendamente shtesë që do i shtohen Ligjit Antimafia për vettingun e politikanëve, ku disa prej neneve kanë të bëjnë edhe me oligarkët siç i cilëson kryedemokratit.
Në mbledhje kanë munguar debatet dhe diskutime, pasi Basha ka bërë vetëm prezantimin e këtyre nene shtesë që pritet t’i dorëzojë së shpejti në Kuvend.
Këtë e vërtetoi edhe Albana Vokshi e cila ishte e pranishme në mbledhje, duke thënë se edhe pse situata në PD është mjaft e tensionuar së fundmi, pasi Basha shpalli zgjedhjet për FRPD dhe LDGSH, ai nuk lejoi të zhvillohej asnjë diskutim.
Albana Vokshi, kryetare e Lidhjes së Gruas në PD, e cilësoi këtë vendim të Bashës në shkelje të statutit dhe uzurpim nga kryetari i këtyre strukturave paralele të PD dhe është larguar e para nga mbledhja e grupit parlamentar të PD-së.
Vetëm dy ditë më parë Basha deklaroi zgjedhjet për kryetaren e re të LGD-së, vendim që nuk u prit mirë nga Vokshi.
Sa i përket deklaratave të Bashës për Sali Berishën se i përket së shkuarës dhe “është një tub oksigjeni për Ramën” që ai “do e këpusë”, Vokshi ka thënë se ato nuk përfaqësojnë PD-në.
“Kryetari nuk na dha asnjë mundësi të debatonim, nuk na u lejua asnjë diskutim. I qëndroj deklaratave të mija. Deklaratat që Lulzim Basha ka bërë një ditë më parë, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike. Unë distancohem nga deklaratat e djeshme të Bashës”, deklaroi Vokshi pas takimit.
Lulzim Basha ka marrë vendim për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor dhe të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë. Kryetari i PD, Lulzim Basha urdhëroi thirrjen e proceseve zgjedhore, pasi mandati i tyre ka përfunduar. Posti i kryetares së LDGSH-së, mbahet me emërim që prej vitit 2012 nga Albana Vokshi. Kjo ka sjellë reagim të ashpër si nga një pjesë e të rinjve të FRPD-së por edhe të vetë Albana Vokshit, e cila ka munguar në këtë mbledhje të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së.
/Priza.al/