3 ditë pasi Qeveria miratoi shkrirjen e Akademisë së Albanologjisë dhe dërgimin e saj pranë Akademisë së Shkencave, ASA ka vendosur të marrë hapin e parë për të mos lejuar kalimin e ASA-s në ASh.
Prej ditës së parë që u komunikua vendimi, ASA deklaroi se do të “vazhdojë misionin e saj në mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjitha instrumentet ligjore të një shteti demokratik”.
Kështu, burime për Gazetasi.al thonë se në ditët në vijim ASA do të depozitojë një padi pranë Gjykatës Administrative, duke e kthyer këtë në rastin e parë në vendin tonë që dy Institucione shtetërore shkojnë në gjyq.
Në një reagim të gjatë në rrjetin social ‘Facebook’, ASA ka thënë se vendimi i shkrirjes “është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë së Shqipëri, I hartuar pa konsultime dhe pa transparencë”.
“Kërkimet e Institutit të Arkeologjisë që mbulojnë pothuajse tërë territorin shqiptar dhe të gjitha periudhat historike, vetëm apo në bashkëpunim me universitete dhe qendra kërkimore të huaja, sipas modeleve dhe parimeve ndërkombëtare në arkeologji dhe larg subjektivizmave në shkencë, kanë sjellë rezultate të jashtëzakonshme të cilat e kanë bërë të njohur arkeologjinë shqiptare në rang ndërkombëtar, duke na bërë krenarë”, thonë studiuesit e ASA, duke shtuar se ky Institut ka pasur dhe ka si parim pune lirinë akademike të secilit studiues.
“Çdo qëndrim nacionalist apo folklorik për konsum lokal, nuk bën gjë tjetër veçse e dëmton çështjen kombëtare dhe na bën qesharakë në sytë e profesionistëve të vërtetë kombëtarë e ndërkombëtarë. Janë pikërisht mendimet e këtyre profesionistëve që kanë rëndësi, për të imponuar qëndrimin kombëtar të arkeologjisë shqiptare dhe jo interesat e momentit. Çdo sulm i kryer kundër këtij institucioni, me qëllim përfitimin personal nga individë me njërën këmbë në zanat ose jo, e me tjetrën në politikë, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për faktorizim individual” vijon reagimi.
ASA përfundon duke thënë se për çdo shqetësim apo aspekt që nuk lidhet me probleme të kërkimit shkencor, shteti i së drejtës ka institucionet përkatëse ku secili qytetar është i lirë të drejtohet.