Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë të hënën në oborrin e Kuvendit të Kosovës teksa kanë qenë duke protestuar në Prishtinë.
Para dyerve të këtij institucioni ka dalë Policia e Kosovës, e cila ka përdorur sprej në drejtim të protestuesve.
Gjatë protestës është parë edhe gaz lotsjellës.
Protesta e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) ishte paraparë të mbahej para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.
Protestuesit janë duke brohoritur “UÇK – UÇK” dhe “Marre, marre”
Sipas Ligjit për Veteranët, shuma e pensionit të veteranit të UÇK-së nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosovë.
Megjithatë, në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës dhe se janë detyruar të dalin në protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe jemi detyruar që pakënaqësitë tona t’i shprehim në protestë”.
Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, do të diskutohet të hënën në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ai është miratuar nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti.
Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Aktualisht, kjo pagë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.
Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Kusari- Lila: Pakënaqësitë e veteranëve janë akumuluar ndër vite
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se pakënaqësitë e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë akumuluar ndër vite, mirëpo tani po gjejnë hapësirë për të protestuar, pavarësisht angazhimeve dhe propozimeve të Qeverisë.
Ajo tha se Qeveria do të trajtojë të gjitha kategoritë, ashtu siç parashihet me ligj.
“Megjithatë, unë e di se secili veteran, i cili ka luftuar, nuk e dëmton vendin, gjegjësisht as ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, apo t’i shkaktojë dëme dikujt tjetër”, tha ajo pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj “është e vërtetë se ka një deformim ndër vite në listat e veteranëve”, dhe që kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet.
“Të gjithë veteranët e mirëfilltë meritojnë trajtim shumë më dinjitoz sesa që e kanë pasur deri më tani. Por, besoj se edhe në këtë pikë do të arrijmë te zgjidhja dhe përmirësimi i kushteve për të gjithë. Megjithatë, periudha kohore ka pamundësuar deri më tash, është një vit i qeverisjes, dhe do të duhet edhe kohë, edhe planifikim, e natyrisht edhe rivlerësim i situatave dhe rrethanave që janë krijuar deri më tani”, ka thënë mes tjerash ajo./REL