Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dënimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim për krime lufte, është vendim “indinjues”.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, tha se ka “mijëra vrasës nga Serbia” që nuk janë dënuar e as gjykuar për “mizoritë që i kanë bërë në Ballkan”.
Sipas tij, vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë.
“E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, shkroi Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se shpreson që institucionet e pavarura të drejtësisë “do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”.
a.m/dita