Albin Kurti: Duhet t’i përmbahemi propozimit evropian, e jo interesit të njërës palë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga takimi i 27 shkurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pret që të ketë diskutime mbi bazën e propozimit evropian, por tha se për gjërat e tjera nuk mund të flas tani “edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësuesit e dialogut”.

“Pas ditës së hënë do të dimë më shumë se çka e ku”, tha ai pas një ngjarje në Prishtinë.

I pyetur nëse në takimin e së hënës do të ketë diskutime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se beson se duhet “t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë, e jo interesit të njërës palë”.

Bashkimi Evropian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pikën 10 të karakteristikave të propozimit evropian, të cilat Kurti i lexoi në Kuvendin e Kosovës më 13 shkurt, thuhet se “të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët”.

Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat  që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin.

Kurti kundërshton themelimin e asociacionit njëetnik, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Por, SHBA-ja ka thënë se kundërshton “krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë”.

Karakteristikat e propozimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:

1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.

2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

3. Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.

5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.

7. Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.

8. Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.

Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.

9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Propozimi evropian u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit të kaluar. Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *