Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti viziton sot Tiranën, disa ditë pas marrëveshjes në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas axhendës, Kurti do të zhvillojë takime me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Ramën, Presidentin Bajram Begaj, me kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kreun e Partisë së Lirisë Ilir Metën.
Me Bajram Begajn, Kurti do të takohet në orën 11:00 ndërsa me Nikollën pritet të takohet në Kuvendin e Shqipërisë në orën 11:30.
Ndërsa në orën 15:30 Kurti do të zhvillojë takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën.
Mediat kosovare raportojnë se në takimin Rama-Kurti, në fokus do të jetë marrëveshja e pafirmosur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.
Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.