Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të bëjnë një vizitë në Bruksel. Nga mesi i javës së ardhshme, Kurti do të jetë në një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërsa do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së. Lajmi është përcjellë nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai ka deklaruar se Kurti nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë.
“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel, kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiç”, u shpreh Kryeziu.
Një ditë më parë, presidenti Biden, në një letër që i ka shkruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë letër, Biden ka theksuar se SHBA mbështet vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përqendrohet në njohje reciproke.
Biden ka thënë se SHBA-ja do t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve. “E di që për të arritur këtë, duhet fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës dhe SHBA-ja do të jetë partner i juaj në çdo hap”, ka thënë Biden.