Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar detaje nga takimi me kreun e CIA-s William Burns.
Teksa e falenderon për vizitën, Kurti e ka cilësuar vizitën si dëshmi të përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe parandalimin e kërcënimeve të sigurisë për Kosovën.
“Takimi ka shkuar shumë mirë. Dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë institucion tejet të rëndësishme, të inteligjencës dhe sigurisë, para së gjithash përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. E falënderoj William Burnsin për vizitën në vendin tonë dhe kjo është dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe të paqes, stabilitetit, e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti sot, pas inaugurimit të renovimit të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.Burns javën e shkuar zhvilloi një “tur” në Ballkan. Ai fillimisht vizitoi Bosnjë-Hercegovinën, më pas Serbinë dhe dy ditë në fund qëndroi në Kosovë ku takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti.