Kreu i LVV, Albin Kurti është mandatuar si kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, dje ka marrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës për ta qeverisur vendin.
Avdullah Hoti pritet që ti dorëzojë sot Albin Kurtit detyrën e kryeministrit, pas zgjedhjeve së tij në krye të ekzekutivit të vendit. Hoti është shprehur se do të dorëzojë detyrën, dhe se ky është një kriter që duhet të respektohet. E sipas tij, kjo mbetet me rëndësi për maturimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Mënyra e dorëzimit të detyrës përbën standard. Ky standard pres që të respektohet kurdoherë që ndërrohen qeveritë. Është tepër e rëndësishme për maturitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryeministri i ri pres të sillet me përgjegjësi në dorëzimin e detyrës tek kryeministri i ardhshëm”, ka thënë Hoti.
“Do t’ia dorëzoj informacionet e plota për IPAN-n, diskutimet që kemi bërë me vendet e BE-së veç e veç për procesin e liberalizimit të vizave. Do t’ia dorëzoj informacionet e plota për procesin e dialogut, marrëveshjen e Washingtonit dhe realizimin e obligimeve të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar më tej Hoti.
Dje Kuvendi i Kosovës konstituoi përbërjen e re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Po të njëjtën ditë, me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, kuvendi zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.