Aleksandër Llanaj, Fatmir Pjetri e Redjan Rraja izolohen në regjimin ’41 bis’/ Për 1 vit asnjë kontakt me botën jashtë

Redjan Rraja, Fatmir Pjetri dhe Aleksandër Llanaj janë izoluar në sistemin 41-bis! 3 të dënuarit do të qëndrojnë në regjimin e posaçëm për një periudhë 1 vjeçare. Kërkesa është bërë nga SPAK, teksa ka marrë miratimin edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Ende nuk dihen motivet që kanë çuar në marrjen e kësaj mase sigurie.

Kush janë 3 të dënuarit që sot u izoluan në regjimin ’41-bis’?

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’ të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete. Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku të maskuar si babagjyshë pjesëtarët e grupit kriminal realizuan grabitjet. Fatmir Pjetri pas arrestimit në Holandë në 24 nëntor të 2017 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Ai u rikthye në vëmendje pas tentativës së bujshme për arratisje nga 313-ta së bashku me Arbër Cekaj.

Aleksandër Llanaj është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të viti 2015 në Vlorë e dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Një zënkë mes të disa të rinjve pas një feste ditëlindjeve përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet. Në 7 Prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Policia arrestoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Në Tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë asokohe, Aleksandër Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj. Familja e Aleksandër Llanajt prej vitit 1998 ka një histori konfliktesh dhe hakmarrjeje që nisin nga një zinxhir vrasjes në Selenicë.

Ndërkohë, Redjan Rraja është në gjykim nga GJKKO lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal,.vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.

Çfarë është regjimi i posaçëm ’41-bis’

Ligji për regjimin e posaçëm njohur si “41-bis” i përshtatur nga Italia ka hyrë në fuqi prej Janar 2019 por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK që u ngrit vetëm në dhjetor të të njëjtit vit . Regjimi “41-bis” është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë. Ky sistem iu ndalon të dënuarve çdo formë komunikimi me botën e jashtme. Edhe takimet e tyre me familjarët do të jenë të monitoruara.

Thelbi i regjimit “41-biss” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *