Në mbledhjen e grupit parlamentar, deputetja Jorida Tabaku sugjeron që opozita të shkojë në zgjedhjet e 14 majit me kandidat të përbashkët. Ajo thotë se PD duhet të dalë si alternativë në zgjedhje për betejën kundër Ramës, jo të kërkojnë votë kundër kolegëve.
“Kam të njëjtin qëndrim që kisha në shtator. Opozita duhet të dalë me kandidatë unikë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që ne të bëjmë betejë kundër nesh. Ne kemi një kundërshtar, kemi qeverinë dhe asnjë arsye e asnjë justifikim të jemi ne ato që përçajnë votën e opozitës. Ne duhet të mbrojmë logon e PD, të nxjerrim PD si alternativë në këto zgjedhje. Nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër kolegëve të mi. Nuk kam asnjë dyshim që ne për të fituar duhet të jemi bashkë dhe më shumë se kaq” – tha Tabaku.
Edhe deputetja Dhurata Çupi këmbëngul që PD duhet të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e 14 majit. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD ajo u shpreh se s’duhet të dalin kandidatura për kryetarë bashkie por vetëm me këshilla bashkiakë. Sipas Çupit, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi duhet të bëjnë të pamundurën për bashkimin me Berishën.
“Së pari ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim po thuajsë gjysmë për gjysmë kemi rrezikun që të ndahemi edhe një here e mund të zvogëlohemi përsëri. Kjo është përgjegjësi direkt e juaja Enkelejd dhe Gaz. Ju duhet të jeni përbashkues.
Së dyti kam refuzuar sulmet e foltores si të shitur e të blerë dhe sot refuzoj akuzat këtu që ne që kemi mendim ndryshe të konsiderohemi që shohim interesat tona. Këtë e refuzoj edhe këtu. Më dhemb PD dhe do bëj çmos të rritet PD dhe të bashkohet sa të mundet.
Ne kemi optimizmin të dalim me listën e këshillave bashkiak dinjitoze dhe figura dinjitoze dhe të votohemi shumë më shume se partitë e tjera. Ndërkohë nuk duhet te dalim me kandidatura për kryetar bashkie. Dhe këtë e kam për të mirën e PD dhe të bashkimit” – tha Çupi.