Ka nisur prezantimi i Altin Dumanit si drejtues i SPAK-ut. Ai do të pasojë Arben Krajën. Ky i fundit gjatë ceremonisë tha se ka besim te Dumani se do ta çojë më tej punën e strukturës së posaçme. Në ceremoni është i pranishëm edhe kreu i KLP, Alfred Balla.
Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo është hera e dytë që ai kandidoi për të marrë “frerët” e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk arriti të fitonte përballë Arben Krajës.
Kush është kreu i ri i SPAK?
Altin Dumani njihet si një nga prokurorët që ka hetuar dosjet më të nxehta në Shqipëri. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhër arreste ndërsa u arrestuan 9 prej tyre. Ndërsa 18 të tjerë, mes të cilëve emra të bujshëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja, por edhe një avokat, janë shpallur në kërkim. Katër nga grupet kriminale operonin në Elbasan, një në Durrës dhe tre të tjerë në Tiranë.
Altin Dumani njihet edhe si prokurori i SPAK që udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë.