Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë që të jetë “transparente” në lidhje me aktivitetet e saj ushtarake.
Bëhet fjalë për praninë e forcave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën të cilën ai i quajti si “përqendrim të madh dhe të pazakontë”.
Në atë pjesë të Ukrainës – ku gjendet kufiri me Rusinë – që nga prilli i vitit 2014 separatistët e mbështetur nga Kremlini po zhvillojnë luftime me forcat ukrainase. Konflikti ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 13.000 personave.
“Çdo provokim i mëtejshëm apo veprim agresiv nga Rusia do të ishte një shqetësim serioz”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në Bruksel më 15 nëntor.
Lidhur me situatën në Ukrainë, dy ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, diskutoi me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian.
Departamenti i Shtetit tha se ata diskutuan “raportet për aktivitetin ushtarak rus në dhe afër Ukrainës”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një deklaratë më 14 nëntor se Blinken dhe ministri francez ritheksuan angazhimin e fuqishëm të vendeve të tyre për sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë që të mos bëjë një “gabim tjetër serioz” në Ukrainë.
Ndërkohë, Pentagoni e quajti “të pazakontë madhësinë dhe shtrirjen” e trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime.
Zyrtarët evropianë thanë se po vëzhgonin situatën bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.
Franca në anën tjetër paralajmëroi se çdo veprim agresiv nga Moska do të kishte “pasoja të rënda”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë pretendimet perëndimore se Moska mbase mund të sulmojë ushtarakisht Ukrainën.
Putin e akuzoi Uashingtonin për lëvizje agresive në Detin e Zi, pasi në atë rajon Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur stërvitje të mëdha ushtarake muajt e fundit.
Stoltenberg tha më 15 nëntor, ushtrimet e tilla në rajonin e Detit të Zi janë transarente dhe me “qëllime mbrojtëse”.
/Burimi: REL/