Ambasada e Britanisë së Madhe ka dalë sërish me një mesazh për shqiptarët, të cilëve u kërkon që të mos emigrojnë në mënyrë ilegale.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, ambasada sjell në vëmendje bandat kriminale, të cilat rrezikojnë edhe familjet e emigrantëve nëse këta të fundit nuk u japin paratë që ata kërkojnë.
“Trafikantët mund të vënë në shënjestër familjen tënde nëse nuk marrin paratë që u detyrohesh. Mos rreziko. Duke punuar për mandate kriminale po vë në rrezik edhe familjen tendë”, shkruan ambasada britanike në Shqipëri.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po ‘pushtohet’ prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi. Kreu i qeverisë i konsideroi deklaratat e Braverman si ‘britmë çmendine’ dhe ‘retorikë kriminale’.
Së fundmi është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Britanisë së Madhe dhe Francës që ka për qëllim të rrisë vigjilencën dhe të ndalojë prurjet e emigrantëve që kalojnë përmes kanalit të La Manshit për në Britaninë e Madhe. Marrëveshja parashikon një pagesë vjetore të Mbretërisë së Bashkuar për Francën për të ndihmuar policinë e kufirit në 72 milionë euro.