Shtetasit shqiptarë që lënë vendin për të ikur në drejtim të Anglisë janë kthyer në një shqetësim për të gjithë politikën britanike. Së fundmi, këtyre personave, të cilët kanë zgjedhur rrugën e vështirë të kalimit të detit nëpërmjet kanalit të “La Manshit” me anë të gomoneve, iu është bërë thirrje me anë të një mesazhi në rrjetet sociale.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ambasada britanike në Tiranë shkruan se për shkak të kushteve të këqija të motit, shqiptarët të cilët tentojnë të kalojnë me gomone drejt Britanisë së Madhe, mund të rrezikojnë jetën. “Duke u përpjekur për t’u larguar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar mund të humbësh edhe jetën nga kushtet e rrezikshme të motit. Mos rreziko!”, shkruhet në postimin e bërë nga ambasada britanike në Tiranë.
Emigrantët e paligjshëm shqiptar në britani kanë krijuar jo pak polemika muajt e fundit. Kryeministri britanik, Rishi Sunak nënshkroi një marrëveshje me kryeministrin shqiptar Edi Rama për kthimin e këtyre emigrantëve në vend. Ditët e fundit, nga Britania e Madhe janë deportuar dhjetëra emigrantë shqiptarë, mes tyre edhe persona të cilët ishin dënuar për veprimtari të paligjshme. Britania po tenton të ndjekë një politikë të re për azilkërkuesit, duke krijuar një listë të bardhë për vendet, të cilat konsiderohen të sigurta.