Në kuadër të përpjekjeve për zhvendosjen e ambasadës së saj, Kosova ka blerë një vilë luksoze në Londër të Britanisë së Madhe. Mësohet se ndërtesa është blerë për shumën e 6.5 milionë paundësh (7.4 milionë euro).
Marrëveshjen për blerjen e rezidencës e ka bërë ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Ilir Kapiti ndërsa ndërmjetësimi u bë nga agjencia “Beauchamp Estates”.
Nga rruga “John Street” në Holbron ku tani ndodhet ambasada e Kosovës në Londër, do të zhvendoset në vilën që gjendet fare pranë një prej parqeve më të mëdha të Londrës, i njohur si Hyde Park.
Sipas medias britanike, stafi i ambasadës do të hyjë në objekt pas përfundimit të punëve për rinovimin e ndërtesës. Vila është ndërtuar në vitin 1890, dhe raportohet se ka dhoma të mëdha në katin përdhes dhe katin e parë. Po ashtu ka tavane të larta dhe dritare të gjata dhe është e vendosur në një prej rajoneve më të favorvshme që kërkohen për ambasada.