Kurorëzimi i Mbretit të Anglisë, u ndoq përmes një ceremonie të veçantë edhe në Tiranë, organizuar nga ambasada britanike.
Në fjalën e tij, ambasadori Alastair King-Smith, vlerësoi figurën e mbretit Charles III si edhe rolin e Monarkisë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Monarkia ka të bëjë me vazhdimësinë dhe stabilitetin. Koha ka ndryshuar. Mbreti është vital jo vetëm për Britaninë. Shihet si një figurë që ngrihet mbi partitë e na bën bashkë. 54 vende në botë, janë duke parë këtë proces. Kurorëzimi nuk ka të bëjë vetëm me traditën. Mbrojtësi i feve është quajtur Mbreti Karl, ai ka theksuar se është mbrojtës i të gjitha feve, dhe është nder për ne që sot këtu në Ambasadë kemi përfaqësues të të gjitha feve. Është e rëndësishme të reflektojmë. Mbreti i ri ka shfaqur dashamirësi në të gjithë Botën, ka qenë avokat për çështje mjedisore, ka ndihmuar persona me aftësi të kufizuara. Ka provuar se do të jetë një mbret i denjë. Kam pasur fatin ta takoj, dhe të jem pjesë e bujarisë së tij. Pasioni i Mbretit është të ndihmojë njerëzit më të dobët. Sot do shohim edhe Mbretëreshën, edhe ajo ka peshën e përgjegjësisë për të qëndruar në nivele të larta, si Elisabeta II.” – u shpreh ndër të tjera ai.