Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kurti dhe Vuçiç kanë zhvilluar takime maratonike më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë. I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.
“Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.