Në pjesën e parë të emisionit “Open” në News24, po diskutohet në lidhje me tërmetin tragjik të ditës së sotme në Turqi dhe Siri, që deri tani raportohet se u ka marrë jetën më shumë se 3000 personave dhe ka lënë mijëra të tjerë të plagosur apo nën rrënoja.
Në një lidhje skype, Kastriot Robo, Ambasador i Shqipërisë në Turqi ka deklaruar se deri tani nuk ka asnjë të dhënë për shqiptarë të ndikuar nga tërmeti apo të mbetur nën rrënoja.
Ai ka bërë një saktësim të bilancit të deritanishëm, duke saktësuar se deri tani janë 1762 viktima në Turqi, 12068 të plagosur, 5606 godina të shkatërruara si edhe ka paralajmëruar që tendenca është që numri i viktimave të rritet në orët dhe ditët e ardhshme.
“Fatmirësisht nuk kemi informacione për shqiptarët të afektuar nga tërmeti. Një rast një familje shqiptare që u interesua për të afërmit e tyre që deri në orët e mesditës nuk kishin mundësi komunikimi, me ndërhyrjen e ambasadës mundësuam komunikimin. Ka pasur probleme me rrjetin e komunikimit, energjisë dhe ujit.
Prezenca e shqiptarëve në zonat e prekura është e limituar. Përfaqësues të komunitetit më kanë deklaruar se kanë përjetuar një tmerr të vërtetë por fatmirësisht nuk ka pasur probleme. Gjithsesi jemi në lidhje me ministrinë e Jashtme dhe Brendshme gjatë të gjithë kohës.
Të dhënat më të fundit rezultojnë që deri tani ka 1762 të vdekur në Turqi, 12068 të plagosur 5606 godina të shkatërruara.
Operacionet e kërkim shpëtimit vijojnë masivisht në të 10 qytetet e prekura, pavarësisht kushteve të rënda të motit me temperatura të ulëta, ngrica dhe dëborë.
Dua të theksoj solidaritetin mbarëkombëtar e qeverinë e popullin turk.
62 ekipe shpëtimi të ardhura nga 50 vende deri tani.
Dua të përshëndes edhe vendimin e qeverisë shqiptare për ekipin që është nisur tashmë në drejtim të Turqisë dhe do jenë shumë shpejt këtu për të dhënë ndihmën e tyre.
Sa i përket bilancit të viktimave, mundësia është që numri i viktimave të rritet. Gjatë ditës bilanci ka ardhur gjithmonë në rritje. Tendenca është që fatkeqësisht do të ketë sërish rritje të numrit të viktimave.
Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në Ankara ku është Ambasada. U ndje i frikshëm e njerëzit dolën në rrugë. Ekziston frika se mund të përsëriten. Ka një frikë masive dhe një merak psikologjik për vijimin e goditjeve, tashmë kemi një vendim të qeverisë turke për mbylljen e shkollave për një javë, limitim të punës në qendrat tregtare dhe shpalljen e shtatë ditë zie”, ka deklaruar ai.