Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK-ut, Arben Krajën dhe shefen e BKH-së, Aida Hajnajn. Me anë të një statusi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, Soreca bëri me dije se takimi u fokusua në transparencën e rekrutimit të hetuesve të NBI.
Gjithashtu Soreca shton se Bashkimi Europian është gati të ofrojë mbështetjen dhe ndihmën e plotë për SPAK , për të dhënë rezultate në Reformën në Drejtësi. Ditën e djeshme kreu i SPAK, Arben Kraja ka takuar edhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Kjo e fundit, ka vlerësuar punën e këtij institucioni deri tani, e ndërsa shtoi se Reforma në Drejtësi po jep rezultate, ndryshe nga sa akuzon opozita.
“U takova sot me Arben Krajën dhe Drejtoreshën e BKH Aida Hajnaj. Ne diskutuam për arritjet e deritanishme të SPAK dhe procesin transparent të rekrutimit për hetuesit e BKH. E rëndësishme të vazhdohet kjo punë me të njëjtin intensitet dhe angazhim, duke pasur parasysh pritjet e mëdha në SPAK për të vazhduar dhënien e rezultateve. Unë theksova rëndësinë e ecjes përpara me trajnimin e shpejtë dhe emërimin e hetuesve. Unë gjithashtu ritheksoj se BE-ja qëndron e gatshme të vazhdojë ofrimin e mbështetjes dhe ndihmës së plotë për SPAK si një nga elementët kryesorë të reformës në drejtësi”, shkruan Luigi Soreca.