Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.
Lajmin e bëri të ditur vetë ambasadorja Kim përmes një postimi në Twitter, ku ka përshëndetur Samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Kim ka theksuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe shprehet entuziaste për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
Ajo shtoi se pret që bashkëpunimi mes dy vendeve të përparojë edhe më shumë në vitin 2023.
“Faleminderit President Bajram Begaj për mundësinë për të shprehur mirënjohjen lidhur me mikpritjen e Shqipërisë në samitin BE-Ballkani Perëndimor. Është hera e parë që ky Samit mbahet jashtë Brukselit. Amerika mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm duke përfshirë reformën në drejtësi, drejt rrugës në BE. Ne rishikuam gjithashtu arritjet në vitin 2022, si aleatë të NATO -s, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe miqtë më të mirë, që i sollën marrëdhëniet SHBA-Shqipëri në nivele të larta historike. Mezi presim të bëjmë edhe më shumë së bashku në 2023 për të forcuar bashkëpunimin amerikano-shqiptar në demokraci, mbrojtje dhe biznes”, është shprehur Kim.