Ambasadorja e Serbisë në Madrid, Irena Sarac, ka pësuar një sulm fizik pasditen e djeshme në kryeqytetin spanjoll.
Ajo është goditur nga një individ në rrugën ku jeton, ndërsa ishte duke folur në telefon.
Mediat shtetërore serbe, si Tanjug, kanë raportuar se sulmuesi fliste shqip dhe i është afruar ambasadorës kur ajo po bisedonte në gjuhën serbe. Sipas këtyre raportimeve, sulmuesi e ka pyetur Sarac nëse ishte nga Serbia dhe, pas konfirmimit, e ka goditur dhe është larguar nga vendngjarja.
Në përshkrimin e incidentit, mediat serbe theksojnë se Sarac ka pësuar dëmtime në shpinë, por nuk ka informacione të tjera në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore. Autoritetet spanjolle janë duke hetuar ngjarjen dhe po punojnë për identifikimin e sulmuesit.