Nga Erblina Mile
Qytetarët shqiptarë rezident apo emigrantët që kanë të ardhura informale ose pasuri mund t’i deklarojnë ato duke përfituar amnisti deri në vlerën 2 mln euro.
Qeveria ka publikuar draftin e rishikuar i cili është hedhur për konsultim publik 2 vite pas variantit të parë. Në amnisti do të përfshihen të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të krijuara deri në datën 1 janar 2022 dhe nga kjo nismë nuk mund të përfitojnë zyrtarët e lartë apo politikanët. Qytetarët apo bizneset që do deklarojnë do të duhet të paguajnë një tatim i cili ndahet në dy fasha. Nëse vetëdeklarimi do realizohet në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, tatimi do të jetë 7%, ndërsa pas kësaj periudhe pasuria do të tatohet me 10% të vlerës.
Gjithashtu në draft parashikohet që personat të cilët do të vetëdeklarojnë të ardhurat informale nuk do të preken nga ligji për ndjekje penale. Ata persona që do të deklarojnë të ardhurat informale nuk do të mund ti tërheqin ato për një periudhë 5 vjeçare që nga momenti i depozitimit të tyre.Në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar. Nëse do të kërkojnë që ti transferojnë këto të ardhura do tu mbahet penalitet në masën 30%. Nëpërmjet amnistisë u jepet mundësi edhe bizneseve që të formalizojnë bilancet e tyre pasi shumë subjekte funksionojnë me dy të tilla.
Për të realizuar deklarimin e pasurisë do të ngrihet një njësi e posaçme në varësi të drejtorisë së tatimeve e cila do të ruajë konfidencialitetin e çdo personi që do të vetëdeklarojë. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër nismës së amnistisë fiskale me arsyetimin se kjo do të nxisë futjen në qarkullim të parave të pista.
Amnistia fiskale dhe penale është parashikuar të zgjasë për një periudhë 9-mujore që nga momenti i hyrjes në fuqi e këtij projektligji.