Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me nismën për amnistinë fiskale.
I ftuar në ‘Opinion’, Rama tha se i qëndron vendimit dhe se nuk i intereson se se çfarë shprehin vendet perëndimore, ku shtoi se nuk do pranojë kurrë që emigrantët të damkosen.
Sakaq theksoi se ligji do të bëhet dhe nuk do ketë mundësi për teori konspiracioni.
Pyetje: A i qëndroni ende idesë së amnistisë fiskale? Një sërë vendesh perëndimore janë shprehur kundër
Edi Rama: Nuk më intereson fare se çfarë shprehin vendet perëndimore për sa kohë debati duhet zhvilluar mbi fakte dhe argumente dhe prova. Iu kam bërë të qartë vendeve perëndimore, gjithëve vendeve mike, unë teorinë që “Shqipëria dhe shqiptarët meqë janë me hije, nuk mund të bëjnë amnisti fiskale”, e refuzoj kategorikisht. Nuk e pranoj që kursimet e emigrantëve t’i fiskalizojnë në banka për 1 për qind kriminelë. Që të damkosen emigranët, unë këtë nuk e pranoj kurrë. Ne këtu flasim për emigrantë shqiptarë të cilët kanë punuar në të zezë. Volumi kryesor janë këta dhe që sot punojnë akoma në të zezë sepse bëjnë 2, 3 punë dhe ata kanë të drejtë absolute që të vijnë dhe të formalizojnë. Për ata që kanë para të krimit, ligji është shumë i qartë sepse çdokush bën një vetëdeklarim. Ligji është shumë i qartë. Në momentin që të vjen dita kur ti provohesh se je pjesë e këtyre aktiviteteve, për ty nuk vlen. Ne jemi në proces dialogu dhe ju kemi thënë të gjithëve “bujrum hajdeni” dhe na thoni se çfarë keni me këtë ligj. Kemi nevojë të bëjmë një ligj ku të mos kemi as teori konspiracioni. 99 për qind e shqiptarëve janë krenaria e kombit dhe nuk pranoj që t’u refuzohet kjo mundësi sepse 1 për qind janë të zhytur në çëshje penale.