Kandidati republikan për president, ish-Presidenti Donald Trump dhe kandidatja demokrate për presidente, Nënpresidentja Kamala Harris, sulmuan njëri tjetrin ndërsa u përpoqën të sigurojnë mbështetjen e votuesve të pavendosur në shtetet kyçe.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, gara mes dy rivalëve pritet të bëhet edhe më e ashpër, kur kanë mbetur edhe tre muaj deri në ditën e zgjedhjeve.
Rreth 100 ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kandidati republikan për president, Donald Trump, ashpërsoi sulmet ndaj kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, gjatë një tubimi në Minesota.
“Kemi një viktimë të re tani, Kamala. Kemi një viktimë krejtësisht të re. Sinqerisht, ajo është një radikale e çmendur e së majtës”, tha zoti Trump.
Edhe Nënpresidentja Harris sulmoi zotin Trump, gjatë tubimit zgjedhor në Masaçusets.
“Ndoshta e keni vënë re se Donald Trumpi ka thënë disa gënjeshtra lidhur me të kaluarën time dhe disa nga gjërat që ai dhe numri dy i tij po thonë janë të çuditshme”, tha zonja Harris.
Ekipi zgjedhor i zonjës Harris thotë se ajo mblodhi 200 milionë dollarë që nga futja në garë pas tërheqjes së Presidentit Biden dhe se 66 për qind e tyre janë nga donatorë të rinj.