Dezinformimi rus kërcënon zgjedhjet në Moldavi, thanë zyrtarë të këtij vendi dhe të Shteteve të Bashkuara në ngjarje të ndryshme në Uashington.
Zgjedhjet në Moldavi do të mbahen më 20 tetor dhe do të përfshijnë edhe referendumin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Presidentja properëndimore, Maia Sandu, e cila e mundi socialistin pro-rus, Igor Dodon, në vitin 2020, dhe u zotua se e ardhmja e Moldavisë do të jetë në BE, do të garojë për rizgjedhje.
Zgjedhjet do të jenë “historike dhe shumë të rëndësishme” për vendin me 2.5 milionë banorë, ku tranzicioni drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut ishte më i ngadalshëm se në shumë shtete post-sovjetike, tha ambasadori moldav në SHBA, Viorel Ursu.
Ai tha se Moldavia, e cila gjithashtu përballet me rreth 1.000 trupa ruse në rajonin e saj separatist të Transdniestrisë, si dhe me një fluks prej rreth 1 milion refugjatësh nga lufta në Ukrainë, mbetet në një pozicion të cenueshëm, pasi Rusia e përdor si “terren testimi” për dezinformim, që “është i pranishëm kudo dhe është duke u rritur”.
Ursu vuri në dukje, po ashtu, se dezinformimi rus dikur ishte në rusisht, por në gjashtë muajt e fundit tha se bëhet edhe në gjuhën rumune, e cila është e ngjashme me gjuhën moldave dhe flitet nga shumica e popullsisë./REL