Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se 4200 firmat e anëtarëve demokrat që kërkojnë ngritjen e Kuvendit Kombëtar nuk janë të rregullta.
Ai e ka shpjeguar më me hollësi këtë deklaratë. I ftuar në emisionin ‘Open’, Bardhi tha se kjo nuk është procedura që duhet ndjekur dhe ka shpjeguar mënyrën se si duhej ndjekur kjo procedurë në mënyrë që të ishte e rregullt.
“Nuk është kjo procedura që duhej ndjekur. Në fillim vjen kërkesa në institucion. Kërkohet një e katërta e anëtarëve të partisë. Duhet të verifikohet nëse është plotësuar kriteri i një të katërtës së kuorumit, për të thirrur kuvendin kombëtar.
Kryesia e partisë shqyrton kërkesën dhe kjo është sipas rregullores që vetë Sali Berisha ka miratuar kur ishte kryetar i PD-së.
Pastaj kryesia e partisë cakton kohën, vendin dhe rendin e ditës. Shqyrtohet nëse ata që kanë firmosur janë anëtarë të partisë. I kërkohet informacion sekretarit të partisë dhe unë them nëse janë të gjithë anëtarë apo jo. Pastaj vendoset për kuvendin”.
Nga ana tjetër, për ish-kreun e demokratëve Sali Berisha“verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi bëhet vetëm nga Kuvendi. Vetëm ai ka të drejtën statutore të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin”, duke shtuar se cilido është i lirë që të shqyrtojë nga afër procesin e verifikimit të mandateve.
Berisha dhe mbështetësit e tij kërkojnë ngritjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor, më qëllim shkarkimin e Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë opozitare më të madhe në vend.
/Priza.al/