Në shumë nga ndërtesat e larta të Tel Avivit sheh flamurin izraelit dhe dy fjalë hebraike: “Beyachad Nenatze’ach” – “Së bashku do të fitojmë”.
Por një vështrim më nga afër të zbulon një pamje tjetër në rrugët e metropolit ekonomik dhe kulturor të Izraelit: Nga njëra anë posterat nga të afërmit e pengjeve të Hamasit, të cilët kërkojnë një marrëveshje që do t’i sjellë të dashurit e tyre në shtëpi – edhe nëse kjo do të nënkuptonte fundin e luftës kundër Hamasit. Në anën tjetër sheh fotografi të ushtarëve të rënë me thirrjen për të vazhduar luftën deri në “fitoren e plotë”.
Ky kontrast është simbolik për ndarjen brenda shoqërisë izraelite. Bëhet fjalë për pyetjen që e trondit vendin në themelet e veta: A ia vlen t’i japë fund luftës kthimi i pengjeve?
Një shoqëri në gjendje shoku
Çarjet në shoqërinë izraelite ishin të dukshme në muajt që para sulmit terrorist më 7 tetor 2023. Prej muajsh kishte protesta kundër reformave në drejtësi që qeveria religjioze e djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu donte t’i zbatonte.
Më pas erdhën luftëtarët e Hamasit nga kufiri me Rripin e Gazës, dhe vranë rreth 1200 njerëz, pothuajse të gjithë civilë dhe rrëmbyen më shumë se 250 pengje. Hamasi islamist, i cili ka qeverisur Rripin e Gazës që nga viti 2007, kategorizohet si organizatë terroriste nga Gjermania, SHBA-ja dhe vende të tjera si dhe BE-ja.
Pas sulmit terrorist, shoqëria izraelite fillimisht ishte në shok të plotë. Shumë vetë mendonin se qeveria e tyre nuk ishte në gjendje të përballonte krizën dhe jo pak civilë donin ta merrnin situatën vetë në dorë. Ata krijuan qendra emergjente civile që organizuan gjithçka. Nga dhurimi i parave për pajisjet luftarake të ushtarëve, te rregullimi i hoteleve dhe strehimit për mijëra të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërmjetësimi i punëtorëve të fushave bujqësore për të zëvendësuar punëtorët emigrantë që ikën për shkak të luftës. Në një farë mënyre, shoqëria civile dhe iniciativat private duket sikur morën rolin e qeverisë. Dhe nganjëherë të krijohej përshtypja, se ata ishin të vetmit që e mbanin vendin në funksionim.
Përçarje e hidhur në Izrael
Një vit më vonë, nuk ka mbetur shumë nga ajo frymë e unitetit në shoqëri. Përçarjet e vjetra janë hapur sërish: kërkesa për lirimin e pengjeve tashmë është bërë sinonim i refuzimit të politikës së luftës të qeverisë. Edhe fyerjet ndaj familjarëve të pengjeve tashmë janë të zakonshme – si në rrjetet sociale ashtu edhe në rrugë. Ka pasur edhe sulme fizike. Fjala që zgjedhin shumë njerëz është “Smolanim”, që do të thotë diçka si “majtist” e cila është konsideruar prej kohësh si fyerje në shumë pjesë të shoqërisë izraelite.
Sipas shumë mbështetësve të qeverisë së djathtë të Izraelit, fushata që bëhet për lirimin e pengjeve është në dorë të atyre pjesëve të shoqërisë izraelite që duan të rrëzojnë qeverinë aktuale. Ata i sulmojnë ashpër njerëz si Gil Dickmann. I afërmi i pengut Carmel Gat, i cili u vra në gusht 2024, është një figurë e njohur në fushatën e familjeve të pengjeve. Dickmann thotë, se në rrjetet sociale për shkak të qëndrimeve të tij ai është bërë madje përgjegjës për vrasjen e kushëririt të tij.
Shumë kundërshtarë të familjeve të pengjeve argumentojnë se fushata për lirimin e të afërmve të tyre forcon pozicionin negociues të Hamasit me Izraelin. Por Dickmann, nga ana tjetër, beson se argumente të tilla i shërbejnë vetëm një njeriu: kryeministrit Benjamin Netanjahu.
Për çfarë mund të arrihet marrëveshje?
Shmuel Rosner është një studiues opinioni dhe gazetar në Korporatën e Transmetimeve Publike të Izraelit. Në podkastin e tij, Rosner flet për të ashtuquajturën “sferë të ujdisë”, ku i referohet kryq emëruesit të përbashkët çështjeve themelore mbi të cilat drejtimet e ndryshme politike të Izraelit ende mund të bien dakord me njeri-tjetrin.
Këta elementë përbashkësie kanë ndryshuar nga 7 tetori, shprehet Rosner. “Nga njëra anë, ka çështje që nuk vihen në diskutim tani, si për shembull prania e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.” Ndërkohë që pushtimi prej dekadash i Bregut Perëndimor, i cili konsiderohet i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, shihet tani si i nevojshëm nga një pjesë më e madhe e izraelitëve sesa përpara sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.