Referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë, më 16 janar, e shënoi pjesëmarrja e ulët e qytetarëve dhe fakti që Beogradi tha “jo”. Në pyetjen e referendumit “A jeni për konfirmimin e Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, për “po” kanë votuar 59.71 për qind e qytetarëve që kanë dalë në referendum, ndërsa 39.26 për qind kanë votuar “jo”. Këto janë të dhënat e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi (RIK) të shpallura një ditë pas referendumit, bazuar në 98.79 për qind të vendvotimeve të përpunuara.
Gjithsej kanë votuar 30.65 për qind e të regjistruarve në listat e votuesve me të drejtë vote. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve deklaroi se në Beograd ishin më të shumtë ata që votuan kundër ndryshimeve në Kushtetutë, pra 54.8 për qind, ndërkaq 44.36 për qind i mbështetën ato ndryshime.
Pjesëmarrje e ulët
Për të ndryshuar Kushtetutën, aktin më të lartë juridik të vendit, nuk ekzistonte një numër të caktuar minimal votuesish të cilët duhej të dilnin në votim. Këtë herë, falë heqjes së pragut, ishte e mjaftueshme që shumica e votuesve të votonin për “po”. Pushteti nuk pranon se mund të nxirren konkluzione politike nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, menjëherë pas përfundimit të votimit deklaroi se pjesëmarrja prej rreth 30 për qind është e lartë për referendum.
Në konferencën për media, Vuçiq tha se një pjesëmarrje e tillë është ndikuar nga “rrëfimet boshe” për atë se referendumi po organizohet për shkak të Kosovës dhe vaksinimit, si dhe që nuk ka pasur gënjeshtra që ai nuk i kishte dëgjuar lidhur me këtë temë. Për kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, dalja në referendum ishte e mirë, duke pasur parasysh se tema “nuk i përket interesave kryesore të qytetarëve”.
“Madje as njerëzit që janë politikisht aktivë nuk e kanë kuptuar mjaftueshëm se për çfarë bëhet fjalë dhe sa e rëndësishme është të shkohet në atë referendum”, tha Daçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Ai po ashtu ka deklaruar se ka pasur shumë informacione të rreme për qëllimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese dhe se më e shpeshta ishte ajo se referendumi është “imponuar nga Bashkimi Evropian (BE)”. Nga ana tjetër, subjekti opozitar, Partia Demokratike ka deklaruar se pjesëmarrja në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës tregon se Vuçiçi po e humbë me shpejtësi mbështetjen e qytetarëve.
Votimi për BE-në apo për Vuçiçin?
Ndryshimi i Kushtetutës në fushën e drejtësisë është një nga obligimet e Serbisë në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian (BE), në mënyrë që të harmonizojë legjislacionin e saj me atë evropian. Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën se si zgjidhen gjyqtarët dhe prokurorët, për të reduktuar ndikimin e politikës në proces, kanë thënë zyrtarët shtetërorë.
Një numër i juristëve, përmes deklaratave për media, kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Përderisa disa prej tyre theksuan se ndryshimet në Kushtetutë ishin “një hap përpara” drejt pavarësisë së gjyqësorit, pati edhe vërejtje se ndryshimet në Kushtetutë, vetëm tre muaj para zgjedhjeve në Serbi, “nuk do t’i zgjidhin problemet (e politizimit) në gjyqësor”, ndërkaq që ndaj autoriteteve, përmes mediave u janë drejtuar kritika për presion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Zyrtarët më të lartë shtetërorë u bënë thirrje qytetarëve që të dalin në referendum dhe të votojnë për “po”, duke thënë se shpejtësia e integrimit evropian të Serbisë varet nga suksesi i referendumit. Ata madje paralajmëruan se integrimi evropian i Serbisë do të ndalet nëse referendumi për ndryshimin e Kushtetutës dështon. Për një pjesë të opozitës, megjithatë, deklarimi përmes referendumit ishte për ose kundër presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Partisë Progresive Serbe në pushtet.
Nikolla Burazer, drejtor programi i Qendrës joqeveritare për Politikë Bashkëkohore, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se është e vështirë të thuhet se çfarë ishte vendimtare për votuesit.
“Sigurisht që ka pasur nga ata që kanë menduar se është vota e tyre për integrimet evropiane, ka nga ata që kanë thënë se është votë për politikën e kësaj qeverie dhe legjitimitetin e Kuvendit që i ka miratuar ato reforma (para referendumit)”, tha Burazer.
Ai shtoi se votuesit nuk e kanë kuptuar se për çfarë konkretisht vendosej në referendum, duke pasur parasysh se partitë politike i kanë interpretuar mjaft ndryshe zgjidhjet e propozuara.
“Madje duke bërë thirrje për refuzim, bazuar në pretendime diametralisht të kundërta. Po ashtu për shkak të fushatës konfuze për ‘po’, që është udhëhequr nga përfaqësuesit e partive në pushtet, në një mënyrë që nuk jemi mësuar, mjaft të vakët dhe mjaft jo bindëse”, tha Burazer.
Analisti politik Dragomir Angjellkoviq konsideron se numri i qytetarëve që kanë dalë në referendum ishte mjaft i vogël, dhe nuk mund të flitet për ndonjë deklarim serioz.
“Ata qytetarë që dolën për të votuar, një pjesë e tyre votuan për Bashkimin Evropian, ndërkaq një pjesë tjetër janë simpatizues dhe aktivistë të bllokut qeverisës, të cilëve padyshim u është rekomanduar të dalin dhe të votojnë”, tha Angjellkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai gjithashtu konsideron se referendumi tregoi që qytetarët janë të lodhur nga integrimet evropiane që zgjasin me dekada.
“Unë mendoj se ky është një mesazh për të gjithë se qytetarët janë mjaftuar me histori rreth këtij modeli të integrimit evropian”, shtoi Angjellkoviç.
Qëndrimi i Serbisë ndaj BE-së
Sipas një hulumtimi të opinionit publik për qëndrimin e qytetarëve të Serbisë ndaj Bashkimit Evropian, të publikuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane në gusht të vitit 2021, anëtarësimi i Serbisë në BE do të mbështetej nga 57 për qind e të anketuarve, ndërsa 30 për qind do të votonin kundër.
Serbia në dhjetor hapi bllokun e parë në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi miratoi një metodologji të re për qasje në këtë union. Blloku numër katër “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, përbëhet nga katër kapituj negociues (politika e transportit, energjisë, rrjetet trans-evropiane dhe mjedisi dhe ndryshimet klimatike). Me hapjen e këtij blloku, Serbia ka hapur 22 kapituj në negociatat për anëtarësim. Komisioni Evropian miratoi metodologjinë e re në fillim të vitit 2020.
Çfarë ishte e rëndësishme për qytetarët?
“Është e rëndësishme, sepse kështu e formojmë shtetin e ardhshëm dhe ligjet e tij”, tha Smilana Spasiç nga Beogradi, e pyetur se sa dhe pse ishte i rëndësishëm për të referendumi për ndryshimin e Kushtetutës.
Për Llazar Vasoviçin, ky referendum ishte i rëndësishëm për shkak se “formon të ardhmen tonë” dhe sepse çështja që u votua ishte e rëndësishme për sistemin e mëtejshëm gjyqësor në Serbi.
“Në thelb, nuk kishte të bënte se a ishte ai kundër korrupsionit, nëse ishte për Evropën, kundër Evropës. Përgjigja ime ishte ‘jo’ ndaj reformave kushtetuese, sepse mendoja se ato nuk ishin të mira në vetvete”, tha Vasoviç.
Për bashkëbiseduesin, i cili u prezantua si Jugi, ky është afrim me Bashkimin Evropian.
“Është e rëndësishme që të votojnë sa më shumë njerëz, për të parë opinionin e përgjithshëm. Edhe pse kam përshtypjen se shumica nuk e kanë idenë se për çfarë bëhet fjalë”, tha ai.
Jovana Subashiç nuk ka votuar sepse vendbanimi i saj nuk është në Beograd, por mendon se është dashur të dalin më shumë njerëz për të votuar.
“Unë mendoj se njerëzit nuk ishin mjaft të informuar. Unë jam për këtë, por do të votoja ‘jo’, sepse kjo ishte disi shumë e shpejtë për mua. Për Kushtetutën është folur shumë herë, për disa tema ndoshta shumë më të rëndësishme dhe askush nuk ka treguar ndonjë iniciativë për këtë, prandaj unë tani po pyes veten pse po ndryshohet Kushtetuta për këto çështje dhe pse para zgjedhjeve”, tha Subashiç.
Radosav Krushedollac nuk ka votuar, siç tha ai, për një arsye të thjeshtë.
“Është Parlament njëpartiak dhe nuk e pranoj fare këtë Parlament. Çfarëdo vendimi që ata marrin nuk më vlejnë. Nuk e fituan pushtetin siç duhet, zgjedhjet nuk ishin të drejta, nuk ishin të ndershme”, tha ai.
A ishte referendumi një ekuilibër pushteti mes Qeverisë dhe opozitës?
Në komentet e para, liderët e opozitës vlerësuan se rezultati i referendumit nënkupton humbjen e Partisë Progresive Serbe në pushtet, në krye me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për shembull, Millosh Jovanoviç, kreu i Partisë Demokratike të Serbisë, me orientim të djathtë, ka thënë për Televizionin N21 se qytetet më të mëdha, Beogradi, Novi Sadi dhe Nishi, votuan kundër asaj që donte pushteti.
Ende nuk ka të dhëna zyrtare nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve për Novi Sadin dhe Nish. Partia Demokratike njoftoi se vlerësimi për regjimin, sipas rezultateve të referendumit, është “në rënie të pandalshme”. Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq beson se opozita gabon nëse mendon se votat kundër ndryshimeve kushtetuese janë vota për të cilat mund të llogaritë.
“Nëse ata mendojnë se është kështu, unë nuk kam asnjë kundërshtim. Që nesër unë do ta nënshkruaja këtë rezultat. Që në Beograd të marrim 46 për qind?”, tha Vuçiç në një konferencë për media.
I pyetur nëse referendumi mund të interpretohet si matje e forcës së pushtetit dhe opozitës para zgjedhjeve të prillit, analisti politik Dragomir Angjellkoviç vlerëson se kjo çështje më shumë ka të bëjë me atë se një pjesë e qytetarëve shprehën pakënaqësinë e tyre për integrimin evropian dhe Qeverinë, duke votuar “jo”.
“Pjesa tjetër e qytetarëve dolën dhe i mbështetën ndryshimet e Kushtetutës sepse është për Qeverinë, ndërkaq një pjesë tjetër sigurisht sepse është e vendosur fort për integrimet evropiane. Ka shumë dyshime nga të dyja palët për të qenë në gjendje ta përkufizojnë këtë si një matje të fuqive”, tha Angjellkoviç.
Nikolla Burazer vlerëson se fushata e referendumit ishte mjaft e ndryshme nga fushatat zgjedhore të periudhës së mëparshme.
Ai përkujton se Qeveria nuk ka bërë një fushatë kaq të fortë për “po”-në dhe rithekson se opozita i ka interpretuar ndryshe arsyet, për të cilat u ka bërë thirrje votuesve për të votuar kundër.
“Unë nuk mendoj se nuk mund të flasim për atë se këto rezultate mund të përsëriten në disa zgjedhje të ardhshme, por sigurisht që flasin se fuqia e pushtetit, të cilën e ka treguar më herët, veçanërisht dy vjet më parë në zgjedhjet parlamentare, më nuk është aq e fortë dhe kjo mund ta inkurajojë në njëfarë dore opozitën”, u shpreh Burazer.
Në Serbi janë shpallur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, si dhe ato për Beogradin, për datën 3 prill. Pasi që pjesa më e madhe e opozitës bojkotoi zgjedhjet parlamentare dy vjet më parë, tani ajo po e paralajmëron pjesëmarrjen.
Marrë nga REL