Analiza e “The Times”: Putin dhe Xi po komplotojnë një rend të ri botëror për të sfiduar fuqinë e Amerikës

“Putin dhe Xi po komplotojnë një rend të ri botëror për të sfiduar fuqinë e Amerikës”, kështu shkruan “The Times”, ndërsa sjell një panoramë të luftës në Ukrainë.

Udhëheqësit kinezë dhe rus do të takohen në një samit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një grup tetë anëtarësh ekonomikë dhe të sigurisë që përfshin Indinë dhe Pakistanin, si dhe Uzbekistanin dhe vende të tjera ish-sovjetike në Azinë qendrore.

Ky do të jetë takimi i dytë ballë për ballë i Putinit dhe Xi këtë vit, por i pari që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt, menjëherë pas përfundimit të Lojërave Olimpike të Pekinit, ku ata u takuan. 

Më pas, ndërsa trupat ruse u grumbulluan në kufirin ukrainas, të dy burrat u zotuan se miqësia midis vendeve të tyre nuk njihte “asnjë kufi”.

Kjo ndjenjë u përforcua këtë javë nga Yang Jiechi, kryediplomati i Kinës , i cili tha se Pekini dhe Moska kërkuan të merrnin rendin global “në një drejtim më të drejtë dhe më të arsyeshëm”.

Yuri Ushakov, këshilltari i Putinit për çështjet e jashtme, tha sot se takimi do të kishte “një rëndësi të veçantë në funksion të situatës aktuale ndërkombëtare” dhe shtoi: “Kina ka marrë një qasje të ekuilibruar ndaj krizës ukrainase, duke shprehur qartë mirëkuptimin e saj për arsyet që e shtynë Rusinë të nisë operacionin special ushtarak.

Kjo çështje do të diskutohet në detaje gjatë takimit.”

Megjithëse Pekini nuk e ka mbështetur publikisht pushtimin e Kremlinit, ai nuk e ka dënuar atë dhe e ka akuzuar NATO-n se ka provokuar Rusinë duke u zgjeruar drejt lindjes në vendet ish-sovjetike.

Kina gjithashtu ka vazhduar të forcojë lidhjet ekonomike dhe strategjike me Rusinë në pothuajse shtatë muajt që nga fillimi i luftës.

Trupat kineze morën pjesë në lojëra masive luftarake që u organizuan nga Rusia në rajonin e saj të lindjes së largët dhe në Detin e Japonisë këtë muaj.

Megjithatë, ndërsa të dy vendet janë të bashkuara nga dëshira e tyre për të sfiduar atë që ata e shohin si përpjekjen e Amerikës për hegjemoninë globale, Kina nuk është e gatshme të kalojë vijat e kuqe të Uashingtonit duke furnizuar Moskën me armë për luftën e saj në Ukrainë .

Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk ka asnjë provë për ndonjë përpjekje sistematike nga Pekini për të ndihmuar Moskën t’i shmanget sanksioneve perëndimore.

Kina gjithashtu i ka ofruar Ukrainës ndihma humanitare.

Ushtria ruse, e cila është detyruar në një tërheqje poshtëruese nga verilindja e Ukrainës, po demoralizohet gjithnjë e më shumë dhe i mungojnë trupat e mjaftueshme në terren.

Një zyrtar i instaluar nga Moska tha dje se ushtria ukrainase kishte tejkaluar forcat ruse me një faktor prej tetë gjatë një kundërofensive të befasishme në rajonin e Kharkiv.

Genadi Zyuganov, kreu i Partisë Komuniste të Rusisë, forca e dytë më e madhe në parlament, i kërkoi sot Kremlinit të shpallë një mobilizim ushtarak mbarëkombëtar.

Pekini, i cili është i përfshirë në mosmarrëveshjen e tij të tensionuar me SHBA-në për të ardhmen e Tajvanit, ka pak stimuj për të ardhur në shpëtimin e Rusisë në fushën e betejës.

“Kina dëshiron të blejë kohë,” tha Alexander Gabuev, një specialist i Azisë në institutin Carnegie Endoëment for International Peace.

“Ajo dëshiron të shmangë provokimin e Perëndimit për të futur sanksione dytësore ose masa hakmarrëse për diçka që mund të shihet si mbështetje e drejtpërdrejtë për Putinin.

Kina dëshiron të ecë me shumë kujdes.”

Në mungesë të armëve apo trupave kineze për të ndihmuar forcat e saj të rrethuara në Ukrainë, lidhjet ekonomike me Pekinin kanë marrë një rëndësi edhe më të madhe për Moskën. Tregtia midis të dyve u rrit me më shumë se 30 për qind nga janari në gusht në më shumë se 100 miliardë paund.

Ushakov vuri në dukje para takimit se “diskutimi i çështjeve që lidhen me bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik është veçanërisht i rëndësishëm”, duke shtuar se “në kushtet e vështira mes sanksioneve të paligjshme perëndimore, ky bashkëpunim ka mbetur i qëndrueshëm dhe ka vazhduar të fitojë ritëm”.

Lufta energjetike midis Kremlinit dhe vendeve perëndimore ka lejuar gjithashtu Kinën të marrë naftë të lirë ruse, duke nënvizuar rolin e saj si partneri i lartë në marrëdhëniet midis dy ish-rivalëve të epokës së Luftës së Ftohtë. Kina është tani importuesi më i madh i naftës ruse.

Gazprom, gjigandi i energjisë, tha javën e kaluar se do të rriste dërgesat e gazit në Kinë përmes tubacionit 1865 milje Poëer of Siberia.

Rusia gjithashtu planifikon të ndërtojë një tubacion të ri, të quajtur Fuqia e Siberisë 2, që do të furnizojë me gaz Kinën përmes Mongolisë. Ai pritet të fillojë të funksionojë në vitin 2030.

“Nuk është një zëvendësim i plotë i marrëdhënies energjitike të Rusisë me Evropën, por siguron një fluks parash të nevojshëm për të mbajtur buxhetin dhe regjimin,” tha Gabuev.

Përveç marrëdhënieve me Kinën, Kremlini ka kërkuar të forcojë lidhjet me diktaturat në Iran, Myanmar dhe Korenë e Veriut që nga fillimi i luftës. Inteligjenca amerikane ka thënë se Rusia po kërkon nga Pheniani për ta furnizuar atë me raketa për të rimbushur makinën e saj të varfëruar të luftës, ndërsa Teherani mendohet se i ka pajisur me drone luftarake.

Iranit, i cili është një shtet vëzhgues i SCO-së, pritet t’i ofrohet anëtarësimi i plotë në organizatë këtë javë.

Min Aung Hlaing, kreu i juntës ushtarake të Mianmarit, e përshkroi Putinin javën e kaluar si një “një udhëheqës të botës”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *