Presidenti Vladimir Putin ka anuluar konferencën vjetore me gazetarët pas një serie problemesh në fushëbetejë në Ukrainë — një pranim i heshtur se lufta e udhëheqësit rus ka shkuar keq.
Zoti Putin zakonisht përdor ritualin e fundvitit për të lustruar imazhin e tij, duke iu përgjigjur një serie pyetjesh mbi politikën e brendshme dhe për të dhënë idenë se është i hapur, edhe pse konferenca është shumë e kontrolluar.
Por këtë vit, teksa trupat e tij janë sprapsur Ukrainë, shmangia e pyetjeve të sikletshme rreth gabimeve të ushtrisë ruse mund të jetë e pamundur, edhe në një ngjarje shumë të kontrolluar. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov konfirmoi të hënën se zoti Putin nuk do ta mbante konferencën e shtypit këtë muaj pa shpjeguar arsyet pse.
“Edhe pse pyetjet janë zakonisht të verifikuara paraprakisht, anulimi ka të ngjarë të jetë për shkak të kundërshtimeve në rritje të luftës së ndërmarrë nga Rusia”, shkruante ministria britanike e Mbrojtjes në një koment në Twitter.
“Zyrtarët e Kremlinit janë të vetëdijshëm rreth mundësisë që në çdo ngjarje në të cilën është i pranishëm Putini, çështje kryesore diskutimi do jetë operacioni të posaçëm ushtarak”, shtonte më tej ministria britanike, duke përdorur termin e Moskës për luftën.
Disa nga konferencat e tij në shkuarën kanë zgjatur më shumë se 4 orë e gjysmë, ku ai përballej ndonjëherë me pyetje të vështira, por ai i përdorte ato për për t’u tallur me Perëndimin ose për të denigruar kundërshtarët e tij në vend.
Zoti Putin ka anuluar gjithashtu një tjetër takim vjetor këtë vit, një shfaqje televizive thirrjesh në të cilën ai merr pyetje nga publiku për të ushqyer imazhin e babait të kombit të tij
Putin ka anuluar gjithashtu një tjetër takim vjetor këtë vit, një shfaqje televizive në të cilën ai merr pyetje nga publiku për të ushqyer imazhin e tij si babai i kombit.
Deri tani ai nuk ka mbajtur as fjalimin vjetor në parlament, një detyrim kushtetues, fjalim i cili transmetohet drejtpërsëdrejti nga televizioni shtetëror. Ende nuk është përcaktuar asnjë datë se kur zoti Putin do e mbajë këtë fjalim.
Kremlini ka censuruar çdo kritikë të kampit liberal që ka kundërshtuar luftën në Ukrainë, duke mbyllur mediat e pavarura dhe duke kriminalizuar përhapjen e çdo informacioni që ndryshon nga pikëpamja zyrtare – përfshirë cilësimin se “luftë”. Megjithatë, kjo ka nxitur kritikat e ekstremistëve rusë, të cilët e kanë cilësuar presidentin si të dobët dhe të pavendosur dhe kanë bërë thirrje për shtim të protestave mbi çështjen e Ukrainës.
Analisti politik Abbas Gallyamov tha në një video- koment se vendimi për të mos mbajtur konferencën e shtypit kishte gjasa të kishte ardhur pasi zoti Putin “nuk ka asgjë për të thënë nga pikëpamja e strategjisë.”
Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke pretenduar se Moska ishte e detyruar të “çmilitarizonte” vendin përballë refuzimit të NATO-s për t’i dhënë garanci Rusisë se Ukraina nuk do të ftohej për t’iu bashkuar aleancës. Ukraina dhe pjesa më e madhe e botës e cilësuan sulmin rus ndaj fqinjit të saj si një akt agresioni të paprovokuar.
Zoti Putin dhe zyrtarët e tij shpresonin të mposhtnin ushtrinë ukrainase brenda pak ditësh, por rezistenca e ashpër ukrainase, e forcuar nga mbpshtetja me armët perëndimore, i prishi menjëherë këto plane. Pas një orvatjeje të dështuar për të marrë me shpejtësi kontrollin e kryeqytetin ukrainas, trupat ruse u tërhoqën nga zonat përreth Kievit në mars.
Në shtator, Ukraina mori përsëri nën kontroll pjesë të mëdha territori në rajonin verilindor të Kharkivit dhe muajin e kaluar mori kontrollin e qytetit strategjik të Khersonit.
Mobilizimi i 300,000 rezervistëve, me urdhër të zotit Putin në shtator deri tani nuk ka arritur të përmbysë fatin e fushës së betejës për Rusinë. Urdhri i mobilizimit ka bërë që qindra mijëra rusë të largohen jashtë vendit për të shmangur rekrutimin dhe ata që janë thirrur kanë raportuar për mungesa të mëdha në pajisje thelbësore e armatime.
Në një deklaratë të rrallë javën e kaluar ku tha se lufta në Ukrainë po merrte më shumë kohë nga sa ai kishte parashkuar, zoti Putin pranoi se fundi mund të ishte një “proces i gjatë.” Në të njëjtën kohë, ai pretendoi gjithçka po shkonte sipas planit.
Sergej Markov, një ekspert politik pro-Kremlinit, vuri në dukje se vendimi i zotit Putin për të anuluar konferencën e shtypit dhe mosmbajta deri tani e fjalimit shtetëror pasqyron hezitimin e tij për vendimet e ardhshme.
“A duhet të ecim përpara dhe të mundim armikun?” shkroi ai, duke pasqyruar thirrjet e vijës së ashpër për të shtuar sulmet me raketa ndaj Ukrainës. “Apo përkundrazi, duhet të përgatitemi për një kompromis të vështirë, por të nevojshëm?”