Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga biznesmeni dhe ish-deputeti kontrovers, Tom Doshi ishte padyshim një nga surprizat më të mëdha të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Socialdemokratët arritën të merrnin 86 mijë vota dhe siguruan 116 mandate në këshilla bashkiakë, e megjithatë, fushata e tyre ishte gati e padukshme në televizionet kombëtare dhe ato rajonale.
Në 18 operatorët audiovizivë kryesorë në vend, PSD mori vetëm 19 minuta e 52 sekonda mbulim, ose më pak se 0.1% të kohës që iu dha fushatës zgjedhore në edicionet informative nga 14 prilli në 12 maj.
Të dhënat e transmetimeve televizive të monitoruara nga Autoriteti i Mediave Audivizive, AMA, të analizuara nga BIRN, tregojnë se mungesa e mbulimit mediatik të fushatës së PSD-së nuk është një rast i izoluar. Televizionet e përqendruan mbulim e fushatës zgjedhore tek partitë dhe koalicionet kryesore – Partia Socialiste, Bashkë Fitojmë dhe Partia Demokratike si dhe te kandidatët e tyre për kryebashkiak në kryeqytet.
Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, në fushatën për zgjedhjet e qeverisjes vendore të 14 majit, dy partitë e mëdha që kanë marrë më shumë se 20% të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare – Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, duhet të marrin jo më shumë se dyfishin e kohës televizive të partive të vogla parlamentare, të cilat kanë marrë më pak se 20% të votave.
Diskriminimi i mediave audiovizive ndaj partive të vogla parlamentare nuk regjistrohet vetëm në kohën e rezervuar gjatë edicioneve informative. Edhe në transmetimet ‘live’ të televizioneve informative dhe në emisionet politike, aktivitetet e tyre zgjedhore regjistrojnë të dhëna njëshifrore.
Në raportin e fundit të dërguar në KQZ pas mbylljes së fushatës zgjedhore, AMA i ka propozuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ndëshkimin e mediave audiovizive që kanë prishur balancën kohore të mbulimit të subjekteve politike në edicione informative gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas Kodit Zgjedhor, operatorët audiovizivë vendorë që kanë shkeluar rregullat e mbulimit të fushatës zgjedhore në media rrezikojnë një masë administrative 1,5 milionë lekë dhe operatorët audiovizivë kombëtarë një masë administrative 3 milionë lekë.
AMA gjithashtu i ka propozuar KQZ-zë ndëshkimin me masë administrative të dy televizioneve – Syri Tv dhe Shijak Tv, për tejkalimin e kohës tavan për reklama politike prej 90 minutash në favor të njërit prej subjekteve garuese në zgjedhje.
Mbulim mediatik i pabalancuar
Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama arriti një fitore gati plebishitare në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke zgjedhur kandidatët e saj në drejtimin e 53 bashkive nga 61 njësi të qeverisjes vendore.
PS-ja ishte edhe subjekti më i votuar në këshillat bashkiakë, ku siguroi 46.9% të votave dhe 757 mandate këshilltarësh.
Të dhënat e monitorimit të medias gjatë fushatës zgjedhore të publikuara nga AMA tregojnë se mbulimi ka anuar qartësisht drejt tre subjekteve të mëdha zgjedhore – Partisë Socialiste, koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Partisë Demokratike.
Minutazhi i dedikuar këtyrë subjekteve politike në edicionet informative gjatë fushatës zgjedhore në 18 televizionet kryesore të monitoruara është i barabartë me 94.5% të totalit, ndërsa 5.5% e kohës televizive i shkoi 37 subjekteve të tjera që garonin në zgjedhje.
Në total, minutazhi i dedikuar Partisë Socialiste (PS) në edicione informative ishte 34.2%, minutazhi i dedikuar koalicionit Bashkë Fitojmë (BF) ishte 39.2 % dhe ai i Partisë Demokratike (PD) ishte 21.1%. Por në qoftëse marrim në analizë televizionet kombëtare, të cilat kanë edhe audiencën më të madhe, Partia Socialiste në pushtet ka marrë kohë më të madhe televizive se subjektet e tjera.
Në tre televizionet private kombëtare – TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, PS ka marrë 42.86% të kohës televizive në edicione informative, koalicioni BF ka marë 34.67% dhe PD ka marrë 22.18%. Ndërkohë, të gjithë subjektet e tjera politike kanë marrë vetëm 0.3 % të kohës televizive në edicionet informative të tre televizioneve kombëtare private gjatë fushatës zgjedhore.
Edhe në televizonin publik, RTSH, koha televizive në edicione informative është njësoj e pabalancuar në favor të tre subjekteve të mëdha politike, të cilat në total kanë marrë 69% të mbulimit mediatik. Udhëheq Partia Socialiste në pushtet me 39.3%, e ndjekuar nga PD me 34.1% dhe koalicioni BF me 24.9%.
Gjatë emisioneve televizive, tre subjektet e mëdha politike kanë dominuar gjithashtu fushatën zgjedhore në televizione. Në total në 18 televizione kombëtare dhe rajonale, këto subjekte kanë marrë 87.8% të kohës televizive, ndërkohë që në tre televizionet kombëtare kanë marrë 84.6% të kohës televizive në emisione politike. Në këto tre televizione, subjekti më i përfaqësuar në emisione është PS me 39.4% të kohës televizive, i ndjekur nga koalicioni BF me 31.9% dhe Partia Demokratike me 13.3%. Të gjitha subjekteve të tjera të marra sëbashku u është rezervuar një kohë e barabartë me 15.4% të kohës televizive në emsione politike gjatë fushatës zgjedhore.
Transmetimet live kanë anuar gjithashtu në favor të Partisë Socialiste në pushtet, e cila ka marrë 41.94% të kohës televizive, e ndjekur nga koalicioni Bashkë Fitojmë me 35.24% dhe Partia Demokratike me 21.62%. Të gjithë subjektet e tjera garuese në zgjedhje kanë marrë vetëm 1.2% të transmetimeve live të marra sëbashku.
Kryetarët e partivë aktorët kryesorë
Gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetarë bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshilltarë garuan në zgjedhjet e 14 majit. Megjithatë, në 18 mediat kryesore të monitoruara nga AMA gjatë fushatës zgjedhore, 43.5% e kohës televizive në edicionet informative iu dha tre liderëve të partive politike kryesore – Sali Berishës, Edi Ramës dhe Enkelejd Alibeajt, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ishte kandidat në zgjedhje.
Tre liderët e partive politike ndiqen në mbulim mediatik në edicionet e lajmeve nga kandidatët për bashkinë e Tiranës – Erion Veliaj, Belind Këlliçi dhe Roland Bejko, me 25.1% të minutazhit. Të gjithë aktorët e tjerë politikë të mbuluar në zgjedhjet vendore të 14 majit morën sëbashku 31.5% të minutazhit në edicionet informative.
Edhe transmetimet live në mediat audiovizive janë dominuar nga kryetarët e partive të mëdha politike. Edi Rama ka marrë 23.8% të mbulimit live, i ndjekur nga Sali Berisha me 15.3% dhe Enkelejd Alibeaj me 8%. Ngjashëm me edicionet informative, kryetarët e partive ndiqen nga kandidatët kryesorë për bashkinë e Tiranës – Erion Veliaj (10.7%) dhe Roland Bejko (9.9%), por ndryshe nga edicionet informative në transmetimet live, vërehet një diskriminin ndaj kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçi (2.8%).
Gjatë fushatës zgjedhore sipas AMA-s u transmetuan gati 33 orë reklama politike. Shumica e reklamave politike ishin në favor të kolicionit Bashkë Fitojmë (61.3%) dhe u transmetuan nga dy operatorë audiovizivë, Syri Tv dhe Shijak Tv. Ndërkohë, Partia Socialiste transmetoi 33.1% të reklamave televizive, të shpërndara në operatorët Klan, Vizion Plus, Top Channel, Report TV dhe Euronews./Marre nga Reporter.al