Analiza/ Heshtja e mediave të mëdha për degradimin e lirisë së shtypit

Mediat e mëdha të vendit e kaluan pothuajse me një heshtje varri rezultatin më të keq në histori që mori Shqipëria në klasifikimin e lirisë së shtypit nga “Reportetrët pa kufi”. Lajmi se ishim të fundit e rajonit tonë dhe se kishim humbur plot 20 vende vetëm brenda vitit të fundit, as nuk zuri vend kryesor në edicionet e lajmeve dhe as u debatua në emisionet e mbrëmjes.

Ndonëse edhe kryeredaktorët e të parave edhe drejtuesit e të dytave vazhdojnë të vetëquhen gazetarë, pra janë drejtpërdrejt të interesuar për këtë temë.

Po pse gjetjet e rënda të “Reporters sans frontieres” u mbuluan me këtë lloj omerta-je të denjë për aleancat mafioze?

Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje, Lapsi.al është thelluar jo vetëm me vendin e 103 ku klasifikohet Shqipëria, pra me anën sipërfaqësore të lajmit, por ka shkuar me thellë duke lexuar arsyetimin që organizata, botërisht e njohur për lirinë e shtypit, i bën degradimit të situatës në vend.

Dhe aty vërehen dy kolona kryesore për të cilat mediat tona pro oligarkike nuk janë të interesuara të flasin. I pari është monopolizimi i pushtetit informativ në pak njerëz. “Pjesa më e madhe e tregut mediatik shqiptar është tepër e përqendruar në duart e katër ose pesë kompanive”, vërejnë “Reporterët…”. Ata vazhdojnë në të njëjtën linjë: “Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me politikanë dhe në të njëjtën kohë operojnë në sektorë që kanë nevojë për rregullim nga shteti, si ndërtimi”.

Pra këtu del qartë se mediat e mëdha nuk i shërbejnë informimit të drejtë të publikut, por interesave të pronarëve të tyre, të cilët janë të varur nga vendimet dhe interesat e atyre që qeverisin. Dhe raporti nuk i kursen as këta të dytët. Duke vëzhguar pavarësinë e kërcënuar të redaksive të lajmeve, raporti vazhdon: “Gazetarët u përballën me presione politike të përkeqësuara në vitin 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve legjislative dhe pandemisë Covid-19”. Aty nuk ngurohet të vihet edhe gishti mbi mëkatarin, duke theksuar se presioni ushtrohet nga ata që janë në pushtet. “Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen rregullisht me sulme politike që synojnë diskreditimin e tyre dhe ata kanë vështirësi për të aksesuar informacionin publik”, shkruajnë “Reporters sans frontieres”.

Të gjitha këto, po të shihen gjithashtu edhe në sfondin e një tregu të reklamës publike që shpërndahet “në mënyrë opake… duke lënë dyshime për trafik influence” dhe të një pjese të tregut që nuk vetëfinancohet por ushqehet nga burime të dyshimta financiare, kuptohet pse Shqipëria është rrokullisur kaq poshtë në klasifikim.

Por e gjithë kjo pasqyrë shpjegon edhe pse mediat e mëdha u munduan ta sfumojnë lajmin se ishim renditur në vend të 103 dhe se ishim të fundit në rajon, ndonëse ai lidhej ngushtësish me mbijetesën e gazetarëve. Ato nuk folën se ai është një denoncim për modelin e ekzistencës së tyre, si prona të një oligarku pronar që për përfitimet e veta monetare i shërben interesave propagandistike të qeverisë. Prandaj dhe raporti flet për rritje të autocensurës tek gazetarët./ Lapsi.al

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *