Ekonomia gjermane u tkurr në tremujorin e parë. Inflacioni i lartë rëndon moralin e konsumatorit dhe në këtë mënyrë ngadalëson ekonominë. Pritshmëritë janë të moderuara edhe për vitin në tërësi.
Ekonomia gjermane hyri në recesion këtë dimër. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr me 0.3 për qind në tremujorin e parë nga tremujori i mëparshëm, tha të enjten Zyra Federale e Statistikave. Gjatë një vlerësimi të parë në fund të muajit prill, Zyra Federale e Statistikave ende besonte se në fillim të vitit ekonomia do të ndodhej në stanjacion.
“Pasi PBB kishte shkuar tashmë në minus në fund të vitit 2022, ekonomia gjermane ka regjistruar kështu dy tremujorë negativë të njëpasnjëshëm”, tha presidentja e autoritetit, Ruth Brand. Kur performanca ekonomike kontraktohet për dy tremujorë radhazi, ekonomistët flasin për një recesion teknik. Kjo nuk do të thotë se i gjithë viti është negativ. Mbi të gjitha falë dimrit të butë nuk ndodhën skenarët më të këqij – për shembull një mungesë gazi, që do të kishte lënë plagë të thella.
Ekspertët nuk janë të befasuar
Jens Oliver Niklasch i LBBW nuk është i befasuar nga ky zhvillim, duke qenë se tashmë në mars ishin publikuar shifra shumë të dobëta. Megjithatë, ai e sheh situatën të ngjashme edhe në vazhdim. “Treguesit kryesorë sugjerojnë se tremujori i dytë do të jetë po aq i dobët”, tha ai. “Në thelb, një recesion stabilizues i pritshëm pas rritjes së normës së BQE. Por gjithashtu një mundësi e mirë për të qenë të ndershëm në politikën fiskale dhe rritjen.” Ai kërkon që tani në Gjermani të flitet për forcimin e faktorëve të rritjes në plan afatmesëm, në vend që të flitet vazhdimisht për ngarkesa të reja për ekonominë dhe për bamirësi tatimore.
Thomas Gitzel, kryeekonomist në VP Bank, sheh gjithashtu re të errëta që po mblidhen për gjysmën e dytë të vitit. “Atëherë do të jenë konsumuar efektet e rikuperimit në industri dhe për këtë arsye nuk do të ketë më kompensim për konsumin privat ende të dobët që mund të pritet dhe për sektorin e ndërtimit në vështirësi,” shpjegon ai. “Tkurrja e ekonomisë gjermane ka të ngjarë të vazhdojë në gjysmën e dytë”.
“Rritja masive e çmimeve të energjisë pati ndikimin e vet në semestrin e dimrit,” komenton Jörg Krämer, kryeekonomist në Commerzbank. Një përmirësim thelbësor nuk është në dukje, siç tregohet nga rënia e barometrit Ifo të klimës së biznesit.”
Perspektiva për gjithë vitin
Një rikuperim i fuqishëm nuk duket për momentin. Bundesbanka, Banka Qendrore e Gjermanisë pret të paktën një rritje të lehtë në pranverë. “Në tremujorin e dytë të vitit 2023, ecuria ekonomike pritet të ketë sërish një rritje të lehtë”, thuhet në raportin aktual mujor. Lehtësimi i pengesave të furnizime, numri i madh i porosive dhe rënia e çmimeve të energjisë duhet të sjellin rimëkëmbje në industri. “Kjo duhet të mbështesë gjithashtu eksportet, veçanërisht pasi ekonomia globale ka rifituar njëfarë fuqie,” parashikon Bundesbank-a.
Për vitin në tërësi, ekspertët besojnë se perspektiva për ekonominë më të madhe të Evropës është e mirë. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rritja ekonomike duhet të jetë rreth kufirit zero. FMN-ja është kështu më pesimiste se qeveria federale, e cila në parashikimet e saj pranverore të paraqitura në fund të prillit, priste një rritje të PBB prej 0.4 për qind. Në parashikimin e tij të fundit, Komisioni Evropian parashikoi rritje ekonomike prej 0.2 për qind për Gjermaninë.
Inflacioni rëndon dëshirën për të blerë
Përballë inflacionit, konsumi privat nuk luajti rolin e tij të mbështetjes ekonomike. Sipas të dhënave, ekonomitë private kanë shpenzuar më pak se në tremujorin e mëparshëm për ushqime dhe pije si dhe veshje e këpucë si dhe mobilim shtëpie. Për konsumatorët, inflacioni i lartë është një sfidë: ai minon fuqinë e tyre blerëse. Rënie ka rënë edhe konsumi shtetëror, me 4.9 për qind.
Rritja e çmimeve sigurisht që është dobësuar kohët e fundit. Por norma vjetore e inflacionit prej 7.2% në muajin prill ishte ende në një nivel relativisht të lartë./DW