Analiza/ Nëse Italia zgjedh së shpejti kryeministren e saj të parë, a do të gëzohen apo zhgënjehen gratë?

Nëse Italia së shpejti zgjedh kryeministren e saj të parë, a do të kënaqen apo do të zhgënjehen gratë italiane?

Nëse sondazhet e opinionit dalin të sakta, Giorgia Meloni dhe partia e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë që ajo bashkëthemeloi më pak se një dekadë më parë do të triumfojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 shtatorit. Kjo do të thotë se zonjës Meloni mund t’i kërkohet nga presidenti i Italisë që të përpiqet të formojë një qeveri të qëndrueshme koalicioni.

Në tubimin e parë të fushatës së zonjës Meloni muajin e kaluar, në Ankona, një qytet në Marche, rreth 1,000 përkrahës entuziastë tejkalonin numrin e dhjetëra protestuesve, shumica gra, në një rrugë anësore.

“Ti transmeton urrejtje dhe nuk më përfaqëson mua”, shkruhej në pankartën e një gruaje.

Zonja Meloni dënon ato që ajo i quan “lobe” LGBTQ, tallet me konceptin e gjinisë së papërcaktuar dhe mbështet ndalimin që i bën Italia birësimit nga beqarët.

Familjet “tradicionale” janë për të themeli i shoqërisë.

Disa shqetësohen se zonja Meloni, e cila lartëson amësinë, mund të përdorë fuqinë e saj për të përkeqësuar të drejtat e grave, duke përfshirë mundësinë e abortit.

Mbështetësit thonë se ajo që ka rëndësi është platforma e saj konservatore, “Zoti, atdheu dhe familja”, jo gjinia e saj.

Partia e saj Vëllezërit e Italisë i ka rrënjët në një lëvizje neo-fashiste që përshëndeti trashëgiminë e Benito Musolinit, i cili u dha çmime grave që kishin shumë fëmijë.

Meloni, 45 vjeç, është e vetmja udhëheqëse e një partie kryesore që nuk iu bashkua qeverisë së bashkimit kombëtar të kryeministrit Mario Draghi në vitin 2021. Pasi forcat populiste, përfshirë dy nga aleatët e fushatës së zonjës Meloni, tërhoqën mbështetjen për Marion Draghin në korrik, koalicioni i ish-shefit të Bankës Qendrore Evropiane u shemb, duke nxitur zgjedhje të parakohshme

Oria Gargano, organizata e së cilës BeFree në Romë ndihmon gratë që kanë pësuar dhunë në familje, vuri në dukje me shqetësim se një politikan i partisë Vëllezërit e Italisë ka kërkuar që varrezat, ku mund të varrosen fetuset e abortuara, të postojnë emrat e grave që kanë abortuar.

Zonja Meloni zemëroi gratë për ripostimin e një videoje të një gruaje që përdhunohej ndërsa ajo bërtiste – “për faktin e thjeshtë se ishte një emigrant që e përdhunoi atë”, tha zonja Gargano. Zonja Meloni ka tallur shumicën e emigrantëve – kryesisht burra – që lundrojnë drejt brigjeve të Italisë me anije kontrabandistësh si udhëtarë pa pagesë që nuk e meritojnë statusin e refugjatit.

Për të krahasuar pozicionet e zonjës Meloni për çështjet që lidhen me gratë, Partia Demokratike e qendrës së majtë është mbështetur tel Elly Schlein, një feministe e hapur, aktualisht nënkryetare e rajonit Emilia Romagna në Italinë veriore.

“Jo të gjitha gratë udhëheqëse ndihmojnë gratë e tjera nëse nuk mbrojnë të drejtat e grave,” tha ajo në një tubim në Romë këtë muaj, “duke filluar me të drejtat e vetëvendosjes mbi trupat tanë”.

Gjatë kësaj fushate zgjedhore, Meloni është pyetur nëse ajo do të zbatojë ligjin e Italisë që legalizon abortin gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë ose më vonë nëse rrezikohet shëndeti ose jeta e një gruaje. Ajo këmbëngul se nuk do të kërkojë të rrëzojë ligjin, por dëshiron që ai të zbatohet në një mënyrë për të ofruar ndihmë për gratë që vendosin të lindin.

Pikëpamjet e saj konservatore janë shqetësuese për disa gra, përfshi Alice Riboli, e cila në moshën 18-vjeçare mund të votojë për herë të parë.

“Do të ishte më mirë të shihje një grua në politikë të ketë një rol të tillë (si kryeministre), por ndoshta jo atë. Ndoshta dikush me ide pak më të hapura, më aktuale,” tha Alice Riboli.

Zonja Meloni, partia e së cilës mori rreth 4% të votave në zgjedhjet e fundit të 2018-ës dhe, sipas disa anketave, mund të marrë tani gati 25% në këto zgjedhje, përgjithësisht është munduar të mos kërkojë votat e grave thjesht sepse është grua.

Sipas anketave, zonja Meloni tërheq pak më shumë meshkuj sesa femra.

Gratë në radhët e mbështetësve të saj janë indiferente ndaj fuqizimit të grave si temë e fushatës—ato thjesht duan një qeveri, më në fund, me pushtet të qëndrueshëm. Në katër vjet, Italia ka pasur tre koalicione të ndryshme qeverisëse, shpesh të grindura, nga i gjithë spektri politik./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *