Që presidenti Vladimir Putin është gënjyer nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe mbi kohën dhe përpjekjet që do të duheshin për të pushtuar Ukrainën, kjo është diçka që u kuptua që nga nisja e agresionit.
The Washington Post ka publikuar një analizë të organizuar në pesë pika, në lidhje me ngjarjet në luftën mes Kievit e Moskës, bazuar në disa materiale, përfshirë përgjimin e disa bisedave mes operatorëve të inteligjencës ruse, si dhe intervista të thelluara me zyrtarë të lartë ukrainas, amerikanë dhe evropianë.
1.Një pjesë e shërbimeve të inteligjencës ruse ishin të përfshirë në dezinformimin e Kremlinit, duke i siguruar se zyrtarët në Moskë se qeveria e Ukrainës do të binte shpejt. Kjo shkoi edhe një hap më tej, sa po mendohet edhe mbi qeverinë “kukull” që do të vendosej për të qeverisur Ukrainën pas dorëzimit të menjëhershëm të Kievit.
Dega e FSB-së, e njohur si Departamenti i Informacionit Operacional, ka kryer prej vitesh operacione klandestine për të depërtuar në institucionet e Ukrainës, për të paguar politikanët pro-rusë dhe për të parandaluar largimin e vendit nga “orbita” e Moskës. Pavarësisht fokusimit të saj intensiv në Ukrainë, zyrtarët e inteligjencës perëndimore deklarojnë se FSB ose nuk arriti të kuptonte se sa ashpër do të rezistonte Ukraina, ose e kuptoi, por nuk mundi t’i transmetonte një informacion të tillë të papërshtatshëm Putinit.
2. Oficerët e FSB-së ishin aq të sigurt se Kievi do të dorëzohej menjëherë, sa ditët e fundit para nisjes së luftës i kaluan duke siguruar se do të kishin se ku të jetonin në kryeqytetin ukrainas.
Komunikimet e përgjuara nga shërbimet ukrainase të sigurisë tregojnë se oficerët e FSB-së u kërkojnë kolegëve detaje rreth apartamenteve dhe vendndodhjeve të tjera që mund t’i përdorin si shtëpi të sigurta, rezidenca ose baza operimi. Zyrtarët njoftuan se disa ditë përpara se forcat ruse të kalonin në Ukrainë, informatorëve të FSB-së iu tha të lironin kryeqytetin, por të linin pas çelësat e rezidencave të tyre për operativët rusë që vinin.
3. Sipas zyrtarëve të sigurisë ukrainase dhe perëndimore, departamenti i FSB-së për Ukrainën iu nënshtrua një zgjerimi të madh në periudhën para pushtimit.
Numri i oficerëve në këtë departament u rrit nga rreth 30 oficerë që ishin në vitin 2019 në 160 në prag të pushtimit të Ukrainës.
4. FSB punoi ngushtë me bashkëpunëtorët dhe krijoi dy alternativa të qeverive që do të implementoheshin në Ukrainë pas pushtimit të shpejtë të vendit.
Aleatët kryesorë të FSB-së përfshinin ish-presidentin ukrainas Viktor Janukoviç, i cili u arratis në Rusi në vitin 2014, dhe Viktor Medvedchuk, një oligark që u bë bashkë-udhëheqës i partisë kryesore pro-ruse të Ukrainës pasi kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë me Putinin.
Yanukovych ishte në qendër të një grupi që u mblodh në Bjellorusi në fillim të marsit, ndoshta i pozicionuar për të hyrë dhe për të rimarrë pushtetin. Një grup i dytë që përfshin ish- anëtarë të partisë së Yanukovych u mblodh në territorin në Ukrainën jugore që u kap në fillim të luftës nga forcat ruse.
5. Pavarësisht dështimeve të përsëritura, drejtuesit e FSB-së mbeten në pozicionet e tyre dhe agjencia është rigrupuar, duke vënë oficerët në rotacione tre-mujore në rajonet e pushtuara nga forcat ruse.
Zyrtarët amerikanë dhe të tjerë thanë se nuk kanë parë asnjë provë që Putini ka pushuar drejtuesit kryesorë të kësaj dege të shërbimit informativ vendas, apo të ketë marrë ndaj tyre masa ndëshkuese për faktin se i kanë ofruar informacione të cilat e çuan në një luftë që i ka shkaktuar shumë dëme ekonomike dhe që rezultatet e saj nuk janë ashtu siç iu premtua.
Në vend të një lëvizje të tillë, drejtori i FSB-së Alexander Bortnikov dhe udhëheqësi i drejtorisë së saj në Ukrainë, Sergej Beseda, mbeten në postet që kishin para nisjes së luftës.