Ka kohë që paria në Prishtinë e Tiranë janë duke u sjellë ndaj njëri -tjetrit si fqinj të këqinj. Raporteve, shpeshherë romantike, u dha fund politikani që angazhohej për bashkim, Albin Kurti, pasi erdhi në pushtet, i ndihmuar edhe nga Vjosa Osmani, me një qasje atakuese ndaj sivëllait andej kufirit.
Megjithë përplasjet dhe gjuajtjet me deklarata, dy protagonistët bashkë me Qeveritë e tyre do të mblidhen të hënën në Prishtinë. Kosova dhe Shqipëria nuk janë keq mes vete dhe do të nënshkruajnë edhe marrëveshje, por Kurtit e Ramës përfundimisht u duhet një normalizim marrëdhëniesh. Kryeministri Albin Kurti do ta presë të hënën në Prishtinë homologun e tij shqiptar, Edi Rama. Qeveritë e të dyja vendeve do ta mbajnë mbledhjen e radhës të përbashkët pas tri ditësh, në një kohë kur raportet mes krerëve nuk duken aspak të mira. Në fakt, ka kohë që Kurti dhe Rama nuk takohen si miq të mirë dhe ka disa arsye për këtë, ndonëse mund të mos duken bindëse.
Secili nga ta argumenton se tjetri e ka gabim çdoherë kur gazetarët i pyesin për çështjet për të cilat nuk pajtohen. Në një rast, Rama thoshte se është “sajesë” raporti i tij i ftohtë me Kurtin, por diçka tjetër është ajo që shihet.
Mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit kishte harmoni vetëm dikur, kur ky i fundit si opozitar e takonte herë pas here kryeministrin e Shqipërisë, i cili kishte shumë simpati për Vetëvendosjen, partinë më rebele në Kosovë që thoshte se synonte të ngjitej në pushtet dhe të qeverisje pa u njollosur.
Vitin e kaluar, Rama u bë edhe kundërshtar politik i Kurtit, kur ky i fundit vendosi që me partinë e tij të merrte pjesë në zgjedhje atje. Shkoi edhe vetë për t’i bindur shqiptarët se sa e dobët e e korruptuar ishte qeverisja e Ramës. Vetëvendosjen e tij e paraqiste si shpëtimin për njerëzit që në shumicë e kishin votuar Ramën për kryeministër.
Fushata përfshiu edhe udhëtimin e ministrave të Kosovës drejt Tiranës, për t’i mbështetur tre kandidatët e Vetëvendosjes.
Në Prishtinë, ku erdhi në shtator të vitit të kaluar, Rama e lëshoi një thumb për Kurtin. Në fund të një bashkëbisedimi që e pati me studentë të Universitetit të Prishtinës, i pyetur se përse s’ka në kabinetin “Rama 3”, ministra nga Kosova, Rama u shpreh se këtë mandat do të bëhej vetë kosovar duke nënkuptuar marrjen e nënshtetësisë. Por “nuk do të vij të bëj fushatë për vota këtu. Mos të ketë frikë asnjeri. As nuk do të vij të votoj këtu” tha më tej.
Përplasjet e para publike mes Ramës dhe Kurtit nisën me Mini-Schengenin apo Ballkanin e Hapur, siç do të quhej më vonë. Kjo nismë u kundërshtua që në fill nga Kurti, e Rama shprehu jo pak neveri çdoherë kur nga Kosova i thuhej se kjo s’ishte në interesin e vendit.
Njeriu që dikur e quajti Vetëvendosjen “pasuri kombëtare”, vështirë se e ka të njëjtin mendim tash. Rama duket nervoz kur argumenton se Kosova duhet t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”. Në këtë nismë, partneri më i mirë i Ramës tani është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Deklaratat e Ramës ku bën thirrje për pajtim dhe që “të mos mbesim peng të së kaluarës” janë bërë të zakonshme kohët e fundit. Ato me siguri se s’i kanë pëlqyer aspak Kurtit, i cili e thekson kudo që mundet se Serbia nuk është distancuar nga e kaluara dhe për çfarë krimesh në Ballkan është përgjegjëse ajo. Kurti hesht, por njerëzit përreth tij nuk e durojnë Ramën. Sidomos drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Ata i reagojnë ashpër Ramës kur ai flet për Kosovën.
Përplasjet dhe kjo marrëdhënie e ftohtë mes Kurtit dhe Ramës, që nisi sapo të dy liderët u bënë homologë, nuk dihet se ku dhe kur do të ndalet. Pasi Vetëvendosja i fitoi për herë të parë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, një takim i Kurtit me Ramën në Tiranë zgjati me orë të tëra.
“Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin “Unë dhe Millosheviçi”, shkruante Rama për takimin.
Në takimet pasuese, si homologë, në konferencat e përbashkëta të dy i shprehnin mendimet krejt të kundërta, kryesisht për “Ballkanin e Hapur”.
Rama thotë se nuk e kupton refuzimin e Kosovës për t’iu bashkuar kësaj iniciative.
“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, kishte deklaruar Kurti në gusht të vitit të kaluar.
“Sunny Hill”, një festival që organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, duket të jetë ‘kontesti’ i fundit mes qeverive në Kosovë dhe Shqipëri.
Lipa e akuzoi Qeverinë e Kosovës për zvarritje të procesit të lejes, pasi njoftoi të martën se janë tërhequr nga organizimi i festivalit në Prishtinë. Shpejt “Sunny Hill” njoftoi se festivali do të zhvendosej në Tiranë. Në Shqipëri njoftuan me entuziazëm të madh për këtë. Pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj njoftoi në Instagram, tepër i lumtur u duk në reagimin e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre”, ka shkruar Rama.
“S’ka si Tirona jo”, ka shtuar ai.
Aktivisti i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, e akuzoi Ramën për “sjellje predatore”, pasi tha se ajo po jepte mesazhin se “tash e tutje, sa herë që Qeveria e Kosovës negocion me ndonjë biznes për të gjetur ekuilibrin mes interesave publike e private, përballë nuk do të ketë thjesht kompanitë private, por edhe Ramën”.
“Nuk do të duhej Qeveria e Shqipërisë të niste një “garë” të pistë e predatore kundër Kosovës”, shkroi Zaimi.
Gjithçka që ndodh mes qeverive në Kosovë dhe Shqipëri, nuk i përjashton marrëveshjet e ndryshme që nënshkruhen çdoherë kur organizohen mbledhje të përbashkëta. Mbledhja e fundit e tillë ishte mbajtur në fund të nëntorit të vitit të kaluar në Elbasan. Në atë mbledhje ishin nënshkruar 13 marrëveshje./Gazeta Express