Analizë/ A e sjell opozitën në pushtet rikthimi i Berishës?

Votuesit i janë drejtuar kutive të votimit në 25 Prill 2021 për zgjedhjet e përgjithshme dhe përsëri më 6 Mars 2022 për ato vendore.

Një detaj mjaft interesant vihet re në këto dy zgjedhje të njëpasnjëshme, ku kushtet e opozitës kanë favorizuar mazhorancën për të marrë më tepër vota.

PD dhe LSI në 6 Mars kanë dal rreth 10.000 vota minus krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Më konkretisht Shtëpia e Lirisë bashkë me LSI ka një firo prej 9.799 votash. PD e vetme në 2021 ka dalë me shifra më të kënaqshme duke i lejuar Partisë Socialiste një rritje të papërfillshme prej 2357 votash. Kjo tkurrje nxjerr në pah faktin se në kushtet që është Partia Demokratike, koalicioni me LSI nuk i shërben.

Partia blu arriti një nga rezultatet më të dobëta në “testimin” e 6 marsit në gjithë historinë e saj. Duke dalë forca e tretë në 5 bashki nga 6 që ishin në garë dhe diferenca e rezultatit të përgjithshëm ishte rreth 15 %. Këto nuk ishin zgjedhje gjithë përfshirëse megjithëse rreth 600 mijë shqiptarë ishin thirrur të votonin. Nga këto rreth 200 mijë iu përgjigjen, duke përbërë një masë mjaft të vogël njerëzish. Pra në këtë shifër të votohet Partia Demokratike në masën 15%  do të thotë se situata është shqetësuese. Duke i bashkangjitur edhe faktin se bashkitë që po votoheshin ishin pothuaj të gjitha në pjesën e sipërme të lumit Shkumbin, terren dhe bastion i PD.

Le të nisim një analizë të faktorëve aktual ku ndodhet opozita e shpërndarë në disa pjesë.

Pas shpalljes Non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti  Amerikan i Shtetit detyroi në një forme apo në një tjetër që Basha të ndërmerrte veprimin e radhës; largimi nga grupi parlamentar i PD, të liderit historik. Ky veprim nisi edhe përçarjen brenda llojit të Partisë duke i ndarë dhe vetë deputetët në Bashistë dhe Berishistë. Lufta e tyre kulmoi në “kështjellën” e selisë blu më 8 janar, me shkopinj dhe mjete rrethanore nga një anë dhe fortifikime të dyerve të selisë dhe kundërpërgjigje me gaz lotsjellës nga ana tjetër.

Më të përçarë se kurrë opozita i ndali thirrjet “Rama ik”, tashmë fokusi ishte drejtuar tek Basha ose Berisha ik.

Pas 6 marsit Berisha përbën shumicën në PD duke theksuar se opozita është e fortë momentalisht, por duke pasur përballë një pushtet si ai i Edi Ramës, gjithçka është më e vështirë.

Basha dha dorëheqjen dhe kjo i dha sadopak ajër, gufosjes së krijuar.  Protesta e janarit u fal dhe “prerja, VRASJA, KANOSJA dhe gjaku lum” gjithashtu u sfumua. Tashëm palët i shtrijnë dorën njëra tjetrës për negocime por ka dhe kokëfortë.

Por valët e entuziaste do të ulen dhe realiteti vijon të mbetet i njëjtë dhe i pandryshueshëm. Vendimi i DASH ishte i qartë dhe i prerë ata nuk do të kenë asnjë marrëdhënie me një parti që drejtuesit e tij janë  “non  grata” apo të tjerë që korridoreve kërcënohen mos të  “ngrefosen” tepër pasi dosja është gati.

Tashmë një gjë është e qartë karigia e blinduar iku (Basha), karrigia e ndaluar(Berisha) e ka të vështirë të ulet…

Tani mbetet që ose nga vitet me beteja, ose vendosmëria e SHBA do ta “eliminojnë” Berishën nga karrigia ku u ul sërish. Mëtonjësit për “fronin e mbretit” në selinë e PD-së e ëndërrojnë atë karrige që shumë i ndjell por askush nuk e ka gëzuar dot deri më sot.

Por në këtë  betejë elefantësh e pëson gjithmonë populli i cili aktualisht nuk ka një opozitë të mirëfilltë. Me një LSI që nuk mund të quhet parti politike dhe me një PD të bërë “copash”, duket se misioni i vërtetë i Edi Ramës është që të gjejë një kundërshtar të denjë politik./Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *