ANALIZË/ Edita Tahiri: “Open Balkan” projekt hegjemon serbo-rus për të cilin Rama do pendohet. Kurti mungesë strategjie në bisedime me Serbinë

 

Nga Klara Dervishi

Një qeveri pa vizion për të bërë dialog me Serbinë dhe një kryeministër shqiptar që është bërë pjesë e një projekti hegjemon serbo-rus siç është nisma Open Balkan.

Ish ministrja për dialog Kosovës –Serbi, Edita Tahiri në një intervistë  për Priza.al kritikon qeverinë Kurti jo vetëm për dyfytyrësinë në rastin e pranimit të marrëveshjes për energjinë me Serbinë por edhe në mënyrën sesi ajo po vepron në lidhje me negociatat me Serbinë.

Sipas tahirit qeveria Kurit ka mungesë  vizioni e strategjie për dialogun Kosovë-Serbi.

Por Tahiri vlerëson vendimin e Kurtit për të mos u bërë pjesë e Open Balkan nismë të cilën ajo e quan një projekt hegjemon serbo-rus, për të cilën Rama do të pendohet

Znj Edita Tahiri, ish-ministre për dialog Kosovë-Serbi

Prishtinë, 16 korrik 2022

Situatë e re por me debate dhe problem të vjetra. Reciprociteti i vendosur së fundmi nga kryeministri Albin Kurti.. Si e shihni?  A ka qënë reciprociteti për letërnjoftimin i vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve e arritur në vitin 2011?

 

Edita Tahiri: Reciprociteti ka qenë pjesë e marrëveshjes për lëvizjen e lirë e cila mundësoi kalimin e qytetarëve ndërmjet dy shteteve me letërnjoftime, të arritur në vitin 2011. Pra së fundmi qeveria e tashme ka bërë zbatimin e reciprocitetit për pjesën e letër shoqërueseve të paraparë në marrëveshje, të cilën ne si qeveri atëhershme me kërkesën e aleatëve amerikan e patëm shtyrë zbatimin e kësaj pjese, të cilës si duket i ka ardhur koha, andaj besoj se kryeministri Kurti është dakorduar rreth kësaj çështje me partnerët amerikan marrëveshjes.

A ka një lidhje vendimi i Kurtit me vizitën e Lajçak në Kosovë e pastaj në Serbi?

 

Edita Tahiri: Në përgjithësi mendoj se Qeveria Kurti ka mungesë vizioni dhe strategjie për dialogun e Brukselit Kosovë-Serbi. Fillimisht Qeveria Kurti ishte kundër këtij dialogu madje edhe me protesta të dhunshme, pastaj kishte kushte për dialog që Serbia të kërkoj falje, mirëpo të gjitha këto jo  vetëm i harroi, por po bënë gabime strategjike që do të dëmtojnë interesat kombëtare të Kosovës.  Çështjet strategjike janë arritja e njohjes reciproke mes dyja shteteve dhe zgjidhja çështjes së reparacioneve të luftës dhe dëmshpërblimet e luftës, çështja e marrjes së pasurisë (parimi i sukcesionin) që i takon Kosovës nga zhbërje e ish-Jugosllavisë, e çështje tjera këto që janë pjesë e platformës shtetërore për marrëveshjen finale të cilën e kam dorëzuar në Bruksel unë si kryenegociatore dhe që është dokument publik në website të Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja finale duhet të reflektoj obligimet e Serbisë që bëri luftë gjenocidale kundër Kosovës, sipas të drejtës ndërkombëtare.   Ky dialog është dashur që tashmë të jetë i fokusuar te arritja e njohjes reciproke midis dy shteteve, si pjesa themelore e marrëveshjes finale që duhet të arrihet sa më shpejt mes dyja shteteve, si kontribut qenësor për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Mirëpo, siç po duket se Kurti ka harruar marrëveshjen finale me Serbinë, apo mbase nuk ka zotësi të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të bërë marrëveshje.   Ndërsa nga ana tjetër, palës serbe i konvenon të merret me çështje të vogla teknike, sepse dëshiron ta shmang çështjen e njohjes reciproke, ndërkohë që i shërben si taktikë imazh diplomatik se Serbia gjoja punon për paqe, derisa në realitet është një faktor destabilizues në rajon.

 

Po marrëveshja që qeveria Kurti bëri me serbinë për energjinë? Ai e ka kundërshtuar atë ashpër kur ishte në opozitë? Apo thjesht ka pasur mungesë informacioni?

Edita Tahiri: Marrëveshja për energji i ka sjell Kosovës sovranitet energjetik. Ajo ka bërë që Kosova të bëhet anëtare e organizatës evropiane të transmisioneve të energjisë. Pastaj marrëveshja normalizon çështjen e pagesës së rrymës nga minoriteti serb në katër komunat që nuk kanë pagua deri me tani. Por qeveria Kurti po dëshmon se në raport me dialogun e Brukselit ka një politikë dyfytyrësie. Pra, atë që dikur e ka kundërshtuar, tani po e pranon. Ne kemi parë edhe përdorim të dhunës për të kundërshtuar këtë marrëveshje.Të gjitha marrëveshjet janë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Si e shihni Ballkanin tani në këtë periudhë lufte? A është ai  më i qetë apo më i ekspozuar në këtë situatë?

 

Edita Tahiri: Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është një luftë gjeopolitike. Duke qenë se Rusia në vazhdimësi ka shfaqur hapur synime gjeopolitike edhe ndaj Ballkanit, prandaj në këto rrethana lufte Ballkani është i eskpozuar rreziqeve  dhe pasojave. Qëllimi i Rusisë dhe Serbisë si aleatja e Rusisë  janë që ta mbajnë Ballkani Perëndimor të destabilizuar sa më shumë për aq sa munden. Duke qenë se interest gjeopolitike janë në qendër të luftërave dhe krizës aktuale në botë, mendoj se kërkohet një pëtgjigje gjeopolitike nga ana e partnerëve tanë perëndimor, në mënyrë që të parandalohen ndikime e dëmshme të paparashikuara të kësaj lufte në Ballkan.  Mendoj se është koha që SHBA-ja; NATO-ja dhe BE-ja duhet të marrin vendime gjeopolitike ndaj Ballkanit Perëndimor, duhet që që BE-ja dhe NATO duhet të zgjerohen në Ballkanin Perëndimor. NATO duhet ta anëtarësojë Kosovën dhe Bosnjën sa më shpejt. Kjo duhet të bëhet në emër të ruajtjes së paqes  dhe stabiliteti të Ballkanit. Gjithashtu edhe BE-ja duhet të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkupton që Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, të bëhen anëtare të BE-së. Pra, zgjerimi i BE-së dhe NATO-s në Ballkan është i domosdoshëm dhe është  mënyra më e mirë që ky rajon të mbrohet nga çfarëdolloj destabilizimi apo ndikimi nga jashtë. Sepse me luftën në Ukrainë, ardhmëria gjeopolitike e botës po kërcënohet dhe me këtë rast është kohë për vendime të mëdha gjeopolitike.

Po Kosova dhe Shqipëria?

Edita Tahiri: Në të njëjtën kohë mendoj që Kosova dhe Shqipëria duhet së  bashku të pozicionohen në raport me këto zhvillime, të fokusohen në interest kombëtare dhe sigurinë kombëtare, të zhvillojnë diplomaci të koordinuar dhe  strategjike me aleatët tanë perëndimorë. Është momenti që Kosova dhe Shhipëria të dëshmojnë se dinë ti mbrojnë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare, ashtu siç kemi ditur dhe kemi bërë në periudhën e pasluftës së ftohtë dhe gjatë krizës së luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, duke realiyzuar interesat kombëtare dhe ndërtuar partneritet strategjike aleatët perëndimor, SHBA dhe partnerët evropian. Si rezultat sot kemi Kosovën shtet të pavarur, Shqipërinë demokratike perëndimore, faktotizimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Mirëpo në këtë kohë janë ca momente jo të mira në diplomacinë kombëtare, sidomos sjellja e qeverisë Rama në relacion me përkrahjen e “Ballkanit të hapur” që është një projekt hegjemon serbo-rus, për të cilën do të pendohet Rama herdo kurdo, si dhe do ta bart si gabim strategjik në trashëgimë e vet politike. Por nuk do ta lejojmë që të ketë pasoja të tilla që i mendon dhe i planifikon Vuçiç dhe Putini.

 

Pra po thoni se qëndrimi i Kurtit për të mos u bërë pjesë është i drejtë?

Edita Tahiri: Ballkani është perëndimor i tillë është bërë me luftëra dhe sakrifica sublime, prandaj do ta mbrojmë bashkë me aleatët perëndimor, të cilët janë mjaft të fokusuar në ballkan por koha kërkon rritjen e angazhimeve të tyre. Kosova ka qenë dhe është kundër Ballkani të hapur, që nga fillimi kur ka dal kjo ide. Qeveria Kurti po mbanë qëndrim të qartë kundër këtij projekti, në mbrojtje të interesave të Kosovës.

 

Edita Tahiri, ish kryenegociatore për dialog Kosovë –Serbi është përherë aktive me idetë e saj, qëndrimet dhe kritikat. Ajo së fundmi u nderua me cmimin Botëror Top 50 në mesin e 50 grave më të suksesshme në Botë çmim të cilin ia dedikoi kombit të saj shqiptar.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *