Plani francez për një marrëveshje midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, situata dhe problemet apo “ndarjen” që po shkakton midis vendeve ‘Open Ballkan’?
Pse Franca mori protagonizëm në ditët e fundit të kryesimit të BE dhe pse nuk u gjet një zgjidhje më parë?
Të gjitha këto pikëpyetje kanë marr një përgjigje nga analisti i njohur politik dhe botuesi i “Gazetës Lajm” dhe “Lajm.Tv” në Maqedoninë e Veriut, Fejzi Hajdari.
Hajdari në një intervistë për Priza.al sugjeron për qeverinë e Maqedonisë së Veriut qw të mos e pranoj planin dhe se nëse ai do të pranohet do të jetë thjesht dhe vetëm “gjunjëzim” i Maqedonisë së Veriut kundrejt shteteve të mëdha.
Një i ashtuquajtur PLAN Francez e heq veton për Maqedoninë e Veriut dhe i hap rrugë nisjes së negociatave me BE. Ishte taktikë e gabuar e Francës që e bëri këtë fakt të njohur ditët e fundit apo edhe Maqedonia e Veriut mund të kishte lëvizur më herët për ta bërë të qartë por edhe për të pasur ndoshta një votim më herët në parlamentin bullgar?
Hajdari: Unë më shumë se shoh si një përpjekje franceze për të bërë protagonizëm në Familjen e madhe Evropianë sesa si një ndihmë procesit për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Po të kishte qëllim serioz nga Franca për zhbllokimin e procesit, kjo do të kishte ndodh, jam i sigurt. Me një presion të vogël, Franca do ta zhbllokonte procesin.
Por një plan francez për të cilin palët po kërkojnë që të mos ketë asnjë diskutim për gjuhën maqedonase për të cilën bullgaria pretendon se është gjuhë bullgare…
Hajdari: Natyrisht se kjo është çështja me e dhimbshme për Maqedoninë e Veriut. Ju lutem kur them Maqedoninë e Veriut, më duhet ta potencojë se shqiptarët nuk kanë probleme identitare, kjo çështje është shumë jetike për maqedonasit dhe jo për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Gjithnjë flas për çështje identitare. Sepse Maqedonia e Veriut po të mos kishte patur çështjet e pazgjidhur identitare me fqinjët (Greqinë, Bullgarinë dhe Serbinë), pothuajse para të gjitha shteteve të rajonit do të ishte integruar që moti në BE. Pra gjuha maqedonase është “arra diplomatike” të cilën vështirë është ta gëlltis Maqedonia qoftë edhe me kushtëzimin e rrugës për në BE. Gjuha do të jetë problemi më i madhe në këtë kontekst, problem ky i cili akoma po vazhdon ta mbaj pezull mosmarrëveshjen midis dy shteteve.
A ishte realisht një lloj kërcënimi që funksionoi pra që e deklaroj qeverinë e Maqedonisë t’i thotë jo planit francez?
Në fakt a duhet pranuar ky plan dhe a është e drejtë që dikush në rastin konkret Franca të negociojë një paketë për të cilën pala tjetër Maqedonia e Veriut nuk ishte njohur më parë e as nuk ka sesi të jetë dakord?
Hajdari: “Do t’ju përgjigjem me zhargonin popullor: Mos qofsh i vogël në politikë! Presioni i shteteve të fuqishme e bënë të veten. Shtetet e mëdha kur duan ta zgjidhin një problem ndërshtetëror, gjithmonë presionin e ushtrojnë “tek i vogli” me qëllim që sa më shpejt të vijnë te një kompromis ose marrëveshje.”
Përplasja e Ramës me Bullgarinë e dyshimtë
Rrëzimi i qeverisë bullgare e komplikon situatën pra qoftë edhe hapin e radhës për Maqedoninë e veriut ? Si e shihni qasjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe mënyrës se si ai ka reaguar për Bullgarinë?
Hajdari: Roli i Ramës dhe sidomos përplasja e tij me Bullgarinë, është tepër e dyshimtë. Ju lutem vetëm analizojeni paraqitjen e tij në BE, një paraqitje të tillë tifozi, as kryeministri maqedonas nuk e kishte. Të gjithë analistët e rajonit dhe njohësit e mirë të rrjedhave të politikës ndërkombëtare nuk e kuptojnë një sjellje të tillë. Është nonsens i llojit të paparë. Është një praktikë diplomatike që nuk e gjen dot tek një kryeministër tjetër të shteteve të Evropës e më gjerë. Është e vërtetë ajo që thoni ju, se dorëheqja e qeverisë Bullgare tanimë e komplikon shumë këtë problem, sepse ky akt ndodhi me ‘arsyen’ se kryeministri bullgar po i shet interesat nacionale bullgare. Paramendoni se bullgarët nuk janë të prirur të lëshojnë as një milimetër në këtë drejtim, pavarësisht nga fakti se pothuajse të gjitha kërkesat e tyre u përfshinë në propozimin francez të presidentit Macron.
Rama avokatin e kujt po bën? I vjen keq për Serbinë?
Në fakt nga ajo që pamë në konferencën për shtyp u duk sikur Rama, Kovacevski dhe Vuçiç po bënin avokatin për njeri-tjetrin?
Hajdari: Po, pikërisht ashtu u sollën dhe po vazhdojnë të sillen. Por e dyshimtë shumë është sjellja e kryeministrit Rama. Vuciq dhe Kovacevski fundja, po e mbrojnë interesin e tyre kombëtar, siç ka ndodh çdo herë historikisht, por Rama kë po e mbron? Ramës i vjen keq për Serbinë sepse, sipas tij, “po i bëhet shumë presion Rusisë”. Por, Ramës nuk i bëhet vonë për Kosovën. Asnjë fjalë nuk e thotë për Kosovën dhe kjo është shumë-shumë indikative. Çfarë përfaqëson Rama dhe interesin e kujt po e mbron?
„Open Balkan“ gjithcka po mbron por jo perspektivën europiane
Si e patë daljen e tyre bashkë në këtë konferencë ? Ndërkohë një fakt i tillë për Ballkanin Perëndimor pra një refuzim i tillë lë vend për ndërhyrjen e vendeve të tjera sic është Rusia?
Hajdari: Më lejoni ta shpalosi mendimin tim personal se mënyra e këtillë e sjelljes së Ramës, Vuciqit dhe Kovacevskit, të lë të kuptosh se në këtë mënyrë gjithçka po mbrohet por jo edhe perspektiva evropiane e shteteve të rajonit. Situata OpenBallkaniste dhe pasojat deri të press-konferenca në Bruksel e Treshes Rama-Vuciq-Kovacevski, e besoni se është pasojë e pikërisht inkurajimit të treshes nga Open Ballkan. Pikërisht ky projekt që është kryekëput serb dhe me mbështetje të madhe ruse, ka filluar të trimërojnë dhe shtojë ndikimin e qarqeve ruso-serbe në rajon. E shihni ju sot se në plazhet e jugut në Shqipëri, gjithandej buçet kënga dhe muzika serbe. unë vazhdimisht shkoj në Serbi me punë biznesi, ata asnjëherë ama asnjëherë nuk bëjë të tilla gjeste. Do të thoni ju po ky është biznes. Pikërisht ata nëpërmjet biznesit historikisht kanë dominuar mbi shtetet fqinje. Fatkeqësisht këtë lojë edhe sot po e luajnë mirë, nëpërmjet disa shqiptarëve qofshin ata të Shqipërisë apo Kosovës.
Ka një ide nga përfaqësuesi i lartë BE-së për politikë të jashtme Xhozef Borell për heqjen e unanimitetin në vendimet e BE-së.. si e shihni këtë? A e shpërbën ajo ose i thellon ajo mosmarrëveshjet brenda bllokut nëse do bëhet kështu?
Hajdari: Po të mos kishin qenë lëshimet, gjegjësisht qasja e njëanshme e zotit Borell, Varheji dhe Lajcak ndaj çështjes së Kosovës dhe favorizimi i Serbisë në këtë drejtim, si dhe disa shteteve të rajonit, ndoshta këto tensione të kësaj natyre dhe sidomos kërcënimeve për destabilitet të rajonit, nuk do t’i kishim patur sot. Prandaj jam i prirë edhe këtë nismë ta shohë, fatkeqësisht, me dozë të madhe optimizmi. Megjithëse z.Borell kur e pa se agresioni rus ne Ukrainë e solli ujkun edhe pranë dyerve të BE-së, tanimë e ka ndryshuar qasjen së bashku me ata zotërinj evropiane që i përmenda me sipër.
“Open Balkan” i bën favore vetëm Serbisë
“Open balkan”, a është vërtet një nismë që lehtëson qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis vendeve? A mund të kthehet ajo në një instrument presioni për BE-në?
Fakti që Kosova nuk i është bashkuar dhe jo vetëm Kosova. Ende nuk është e qartë qëndrimi i Malit të Zi, Bosnje Hercegovina ..
Hajdari: Për mua personalisht si njeri që merrem me komentimin dhe analizimin e zhvillimeve politike në rajon, Open Ballkan nuk do të lehtësojë e përmirësojë asgjë, përveç që do t’i bëjë favore Serbisë të cilët do t’ia rrisë relevancën (me ndihmën e Edi Ramës) kundrejt BE’së. Ju e dini se një nismë të tillë ish Jugosllavia ka patur dhe zbatuar ndaj Shqipërisë, që në vitin 1946. Po ta shikon pothuajse e njëjtë ka qenë marrëveshja në fjalë. Pikërisht kjo marrëveshje e atëhershme, Shqipërinë e solli përballë Jugosllavisë, në pozitë lypsari, sepse Jugosllavia e atëherësh (sikurse sot Serbia) ishte me supermaci ekonomike superiore, gjë që i mundësia asaj “ta blejë ekonomikisht Shqipërinë!”. Ideja është pothuajse se e një edhe sot, sikurse Open Ballkan. Serbia kërkon dominim në shtetet e Ballkanit perëndimor nëpërmjet këtij projekti, i cili ka mbështetje të fuqishme nga Rusia.
Beogradi nuk do stabilitet në Ballkan
Po ajo që po ndodh në Kosovë? A shihni perspektivën e një dialogu të qenësishëm Kosovë-Serbi? Por ndërkohë Beogradi përsërit se njohje nuk mund të ketë.
Hajdari: Fatmirësisht Kosova sot ka një qeveri stabël e cilat të paktën nuk lejon të luhet dhe bëhet pazar me interesat kombëtare të Kosovës, siç kishte ca përpjekje të mëhershme, me pazare për ndarjen e Kosovës, pastaj me falje e 8200 hektarëve tokë për Malin e Zi etj. Beogradi nuk është i interesuar për një zgjidhje të tillë dhe për stabilitet të mirëfilltë në Ballkan. Vetëm mjegulla i shërben kësaj qeverie serbe. Ju e dini fortë mirë se kush e drejton sot Serbinë. pionieri i Millosheviqit dhe Sheshelit. Vuçiqi. I cili dje kërcënohej se “për një serbë, do të vriste 100 mboshnjaka”. Vuçiqi sot i cili gjatë inaugurimit para ca ditësh për president të Serbisë, zotohet se do të angazhohet për Kosovën në kufijtë e Serbisë. Vuçiqi sot përgjatë kufirit Serbi-Kosovë ka vendosur rreth 20 baza operative ushtarake? Çfarë të them më tepër. Të them edhe njëherë se ky është miku i ngushtë i kryeministrit shqiptar, të cilit i vjen keq se Serbisë po i bëhet shumë presione për t’i aplikuar Rusisë sanksione…
Po përmendet më shumë nga ndërkombëtarët fraza “njohje” për Kosovën.. Është kjo e mundur aktualisht kur dihet që Serbia është rreshtuar me Putin si te thuash për një lojë me dy porta.. kërkon negociata në Bruksel por nuk vendos sanksione për Rusinë?
Hajdari: Pikërisht këtë po e thoja edhe unë më sipër, Serbia e ka vështirë të çlirohet nga mitet se “Kosova është Serbi”, sepse kjo sintagmë dhe gënjeshtër me vite e shekuj është kultivuar nga Akademia dhe Kisha Serbe, pra nga elitat intelektuale dhe politike ne Serbi. Brezat janë mishëruar kësisoj. Thjeshtë janë indoktrinuar dhe janë edukuar gabimisht, me fajin e politikës por edhe qarqeve intelektuale serbe. Prandaj ata e kanë shumë vështirë ta pranojnë realitetin e ri – Kosovën si shtete të pavarur. Shpresë kam tek faktori ndërkombëtarë i cili kësaj radhe presionin e ka shtuar, pavarësisht se disa shtete evropiane kanë lidhje të mëhershme me serbët.
Si e shihni qasjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve?
Hajdari: Reciprociteti është shpresa dhe formula më e mirë të cilën po e zbaton Albini. Vetëm kjo është gjuha diplomatiko-politike e cila jep shpresë për një zgjidhje të drejtë afatgjatë./Priza.al
*Fejzi Hajdari, analist politik dhe botues u Gazetës Lajm dhe Lajm.Tv*
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*